Banesa, magazina dhe biznese, konfiskohen 3 mln euro pasuri të Dasho Alikos së Lazaratit

Kryesore

Publikuar: 23/12/2025

Banesa, magazina dhe biznese, konfiskohen 3 mln euro pasuri të Dasho Alikos së Lazaratit

Hetimi pasuror nr.2 i nisur në vitin 2019 çoi në identifikimin e burimeve të dyshimta dhe të pajustifikuara të pasurimit të Alikos. Sipas Prokurorisë, asnjë prej këtyre pasurive nuk ishte krijuar përmes të ardhurave të ligjshme….

Prokuroria e Gjirokastrës ka konfiskuar pasuri me vlerë rreth 3 milionë euro të ish-kreut tw Komunës së Lazaratit Dasho Aliko. Hetimet zbuluan se pasuritë e tij nuk justifikoheshin nga burime të ligjshme dhe u bllokuan me kërkesë të organit të akuzës.

Operacioni i konfiskimit përfshin një listë të gjatë pronash të paluajtshme dhe aktivitetesh tregtare të përqendruara kryesisht në Kordhocë, Lazarat dhe qytetin e Gjirokastrës. Konkretisht, Prokuroria sekuestroi: disa truallë me sipërfaqe të konsiderueshme, një banesë, një karburant, disa magazina, një lokal, zyra dykatëshe, një nyje betoni dhe toka bujqësore. Shumica e pasurive janë të lokalizuara në zonën e Kordhocës, ku Aliko duket se kishte ndërtuar një perandori private.

Hetimi pasuror nr.2 i nisur në vitin 2019 çoi në identifikimin e burimeve të dyshimta dhe të pajustifikuara të pasurimit të Alikos. Sipas Prokurorisë, asnjë prej këtyre pasurive nuk ishte krijuar përmes të ardhurave të ligjshme. Në njoftimin zyrtar theksohet se konfiskimi u krye në bazë të ligjit “Për Parandalimin dhe Goditjen e Krimit të Organizuar, Trafikimit dhe Korrupsionit nëpërmjet Masave Parandaluese Kundër Pasurisë”.

Prokuroria e Gjirokastrës ka deklaruar se ky është vetëm një hap në luftën ndaj pasurimit të paligjshëm dhe do të vazhdojë me hetime të tjera për raste të ngjashme. Ndërkohë, emri i Dasho Alikos përmendet si një figurë politike me lidhje në strukturat lokale të Partisë Demokratike, çka e bën rastin edhe më të ndjeshëm politikisht. Deri më tani nuk ka një reagim zyrtar nga Aliko apo nga Partia Demokratike.

Njoftimi i prokurorisë

Nuk justifikoheshin nga burime të ligjshme, konfiskohen me kërkesë të Prokurorisë Gjirokastër, 3 mln euro pasuri të shtetasit D.A.; karburant, biznese, troje, banesa e magazina

Me kërkesë të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Gjirokastër, u konfiskuan tre milionë euro pasuri të shtetasit D.A. i cili nga hetimet rezultoi se nuk ka burime të ligjshme për krijimin e pasurive.

Kërkesa për konfiskim erdhi në kuadër të hetimit pasuror nr.2 të vitit 2019 dhe u konfiskuan pasuritë si më poshtë:

– Pasuria e llojit “Truall” me sipërfaqe 350m2, me vendndodhje në qytetin Gjirokastër;

– Pasuria e llojit “Truall” me sipërfaqe 1500m2 dhe ndërtim 23 m2 me vendndodhje në Lazarat, Gjirokastër;

– Pasuria e llojit “Truall” me sipërfaqe 450 m2, me vendndodhje në Grehot, Gjirokastër;

– Pasuria e llojit “Truall” me sipërfaqe 1646 m2 me vendndodhje në Grehot, Gjirokastër;

– Pasuria e llojit “Arë” me sipërfaqe 7000 m2 me vendndodhje në fshatin Arshi Lengo, Gjirokastër;

– Pasuria e llojit “Banesë” me sipërfaqe 120 m2 ndërtim, dhe pasuria e llojit “Sipërfaqe sheshi” 600 m2 me vendndodhje në Lazarat;

– Pasuria e llojit “Karburant” me sipërfaqe 148 m2 me vendndodhje në Kordhocë, Gjirokastër;

– Pasuria e llojit “Ndërtesë e zyrave dy-katëshe” me sipërfaqe 69 m2 me vendndodhje në Kordhocë, Gjirokastër;

– Pasuria e llojit “Lokal” me sipërfaqe 94 m2 me vendndodhje në Kordhocë, Gjirokastër;

– Pasuria e llojit “Magazinë” me sipërfaqe 437 m2 me vendndodhje në Kordhocë, Gjirokastër;

– Pasuria e llojit “Magazinë” me sipërfaqe 98 m2 me vendndodhje në Kordhocë, Gjirokastër;

– Pasuria e llojit “Magazinë” me sipërfaqe 542 m2 me vendndodhje në Kordhocë, Gjirokastër;

– Pasuria e llojit “Vendroje” me sipërfaqe 5 m2 me vendndodhje në Kordhocë, Gjirokastër;

– Pasuria e llojit “Nyje betoni” me sipërfaqe 55 m2 me vendndodhje në Kordhocë, Gjirokastër;

– Pasuria e llojit “Vend afrimi i materialeve të ngurta” me sipërfaqe 424 m2 me vendndodhje në Kordhocë, Gjirokastër;

– Pasuria e llojit “Truall” me sipërfaqe 2224 m2 me vendndodhje në Kordhocë, Gjirokastër; dhe

– Pasuria e llojit “Truall” me sipërfaqe 1608 m2 me vendndodhje në Kordhocë, Gjirokastër;

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, shpreh angazhimin e plotë për hetimin me prioritet të procedimeve pasurore si dhe për sekuestrimin/konfiskimin e pasurive në zbatim të ligjit Nr.10192, datë 03.12.2009 “Për Parandalimin dhe Goditjen e Krimit të Organizuar, Trafikimit dhe Korrupsionit nëpërmjet Masave Parandaluese Kundër Pasurisë”.

Në vijim, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, shpreh angazhimin e plotë për vijimin e hetimeve të grupveprave që lidhen me pasurimin e paligjshëm nëpërmjet marrjes së masave për sekuestrimin dhe konfiskimin e tyre. /Pamfleti