Më shumë dyer iu hapen fermerëve nga integrimi në Bashkimin Evropian por bashkë me përfitimet edhe sfidat do ju shtohen. Më të përgatiturit do t’i mbijetojnë kësaj rruge, thotë Kryeministri Edi Ramanë një takim me fermerët.
“Kjo sfidë ka dy anë, ka anën e saj të errët, dhe anën e saj të ndritur. Ana e saj e errët është ajo që pret çdokënd prej jush që nuk është i përgatitur për atë ditë ose pjesa e kontratës që lidhet me bujqësinë është më e vështira. Ashtu sikundër është dhe më e mirëpritura për ata që janë të për përgatitur për ë t’u përballur me kushtet, për t’u përballur me standardet, për t’u përballur me kontrollet që burojnë nga cilësia shumë e lartë e sigurisë”, tha Rama.
Për të qenë konkurrues në tregun e madh evropian fermerëve sipas kreut të qeverisë iu duhet të informohen dhe të kenë projekte të studiuara.
“Kërkon standarde dhe cilësi, kërkon teknologji dhe dixhitalizim. Kërkon organizim të sofistikuar, dhe patjetër kërkon edhe mbështetje, një mbështetje e cila jo vetëm nuk do të mungojë, por do të vijë duke u rritur vit pas viti. Për askënd nuk do të jetë çështje lekësh. Për askënd nuk do të jetë çështje fondesh. Për gjithkënd të jetë çështje e projektit të duhur dhe e garancive të duhura të dijes për zbatim e projektit”, tha Rama.
Për të ndihmuar fermerët për tu bërë gati për në BE, ministri i Bujqësisë veçoi platformën EuroAgro Albania 2025–2030.
“Platforma konkretisht do të sjellë një linjë të dedikuar asistence e quajtur numri blu, platformë dixhitale informative dhe asistent virtual në portalin e fermerit. Pikat formuese, materiale udhëzuese dhe trajnime. Në të njëjtën kohë platforma do të shtrihet përmes bashkive, shërbimeve të ekstencionit, dhomave të tregtisë dhe shoqatave personale që informacioni të mbërrijë shpejt dhe i plotë tek të gjithë ju”, tha Andis Salla ministri i bujqësisë.
Synimi i qeverisë në këtë mandat është rritja e mbështetjes direkte në 100 milionë euro nga 64 milionë euro aktualisht, si dhe ulja e deficitit tregtar në raportin 1 kilogramë eksport 2 import.