SPAK urdhër-arreste për Engjëll Agaçin, Gerond Meçen, Endri Meksin dhe baxhanakun e Ramës? Disa biznesmenë arratisen në Dubai

Krim & Korrupsion

Publikuar: 20/12/2025

SPAK urdhër-arreste për Engjëll Agaçin, Gerond Meçen, Endri Meksin dhe baxhanakun e Ramës? Disa biznesmenë arratisen në Dubai

Disa burime të kryqëzuara konfirmojnë një tjetër aksion arrestimesh të nivelit të lartë nga ana e SPAK, ndërsa disa biznesmenë janë arratisur dje dhe sot në Dubai. Bëhet fjalë për personazhe të tjerë, të cilët rezultojnë të implikuar në dosjen e korrupsionit të AKSHI-t me tendera sekretë dhe të hapur. Sipas burimeve, SPAK ka kërkuar në GJKKO masë sigurie për Sekretarin e Përgjithshëm të Kryeministrisë, Engjëll Agaçin, lakuar dhe i akuzuar për implikim në afera korruptive, pastrim parash, lidhje me krimin dhe ndikim në drejtësi.

Krahas Agaçit, SPAK mësohet se ka kërkuar arrestimin e biznesmenit Gerond Meçe, i cili është edhe viktimë si i marrë peng, edhe i implikuar në dosjen e korrupsionit të AKSHI-t. Emri i Meçes është i lidhur me rreth 50 milionë euro para publike të përvetësuara me tendera kryesisht sekretë dhe kontrata fiktive për shërbime në letër, përmes kompanisë Artificial Intelligence Business Solutions. 

Gerond Meçe, i cili fshihej pas mamasë së tij, Shegush Meçe, dyshohet se është prestamnome i me Armand Frangun, i njohur si baxhanaku i kryeministrit Rama. Sipas burimeve, ka kërkesë nga SPAK-u në GJKKO për arrestimin edhe të Armand Frangut si pjesë e një skeme korrupsioni me tenderat e AKSHI-t, me kosto dhjetëra milionë euro. Sipas burimeve, një pjesa më e madhe nga shuma 50 milionë euro të përfituar nga Meçe kanë përfunduar në xhepat e Frangut.

Besohet se urdhër-arrest ka edhe për Endri Meksin, i cili rezulton i përfshirë në dy dosje të fundit të SPAK; Në dosjen e AKSHI-t dhe në dosjen për zv/kryeministren Belinda Ballukun. Meksi ka përfituar 33 milionë euro tendera dyshuar si korruptivë nga ARRSH, ndërsa ka qenë për disa vite protagonist i një skeme korrupsioni me tenderat e AKSHI-t deri kur e nxorën jashtë loje dhe nisi të sulmonte AKSHI-n me mediat e kontrolluara prej tij.

Prapaskena e ka konfirmuar që Endri Meksi rezulton pjesë e dosjes 16 mijë faqe të SPAK-ut për zv/kryeministren Belinda Balluku, e cila i referohet Meksit me epitetin ‘palla’. Meksi, sipas përgjimeve në dosje, ka përdorur median e tij si instrument presioni dhe shantazhi për të përlarë para publike, përmes tenderave me natyrë korruptive.