Gjykata e Durrësit ka liruar me kusht Arbër Paplekajn, ish-efektivin e RENEA-s i cili u përfshi në konfliktin me armë në Elbasan 4 ditë para zgjedhjeve të pjesshme të vitit 2021.
Nga argumentet e paraqitura, Paplekaj pretendon se ka vuajtur pjesën më të madhe të dënimit. Më herët, Gjykata e Apelit ndryshoi vendimin e dhënë nga Gjykata e Elbasanit, duke ia ulur dënimin nga 22 në 7 vite burg. Po ashtu, Apeli ndryshoi edhe akuzën ndaj tij nga “vrasje në rrethana cilësuese” në “vrasje në kushtet e tronditjes psikike”.
Po kështu Apeli ka dhënë pafajësi për 6 efektivët e Shqiponjave Dedion Duraku, Pëllumb Biçaku, Erion Balla, Erion Meçja, Donald Dedja dhe Besmir Kadiu. Për ta gjykata e Elbasanit kishte dhënë dënimin me 16 muaj shërbim prove.
Të pafajshëm janë shpallur edhe dy ish-zëvendësdrejtorët e Policisë së Elbasanit, Albert Nushi dhe Nikollaq Palla për të cilët Gjykata e Elbasanit kishte dhënë nga 1 vit shërbim prove për secilin.
Nga shkëmbimi i zjarrit mbeti i vrarë Pjerin Xhuvani, ndërsa u plagosën Emiljani Prenga dhe Paulin Vuksani nga radhët e Partisë Demokratike, si edhe Edjon Budani, dhëndri i Xhuvanit dhe efektivja e policisë Xhensila Sota.
Ngjarja ndodhi pas përplasjes mes shtabeve elektorale, kur struktura informale e ngritur nga Partia Demokratike për “mbrojtjen e votës” ndaloi makinën e Mehmet Grecës, me pretendimin se ai po shpërndante para në këmbim të votave për Partinë Socialiste. Greca thirri në ndihmë Pjerin Xhuvanin. Nga ana e PD-së ishte struktura për Mbrojtjen e Votës e ngritur në Elbasan, pjesë e së cilës ishte edhe Arbër Paplekaj.
Paplekaj pranoi krimin dhe u vetëdorëzua në Repartin e Forcave RENEA në Tiranë duke thënë se qëlloi për vetëmbrojtje, pasi u qëllua më parë nga persona që sipas tij po blinin vota.
/pamfleti