Pëllumb Salillari në dosjen e SPAK-ut për ARRSH-në, ofroi para në këmbim të tenderave. Biznesmenët e tjerë të implikuar. Pse nuk arrestohen?

Investigim

Publikuar: 18/12/2025

Pëllumb Salillari në dosjen e SPAK-ut për ARRSH-në, ofroi para në këmbim të tenderave. Biznesmenët e tjerë të implikuar. Pse nuk arrestohen?

Disa oligarkë rezultojnë në dosjen voluminoze të SPAK-ut për korrupsionin e ARRSH-së me tenderat e rrugëve. Mes të implikuarave rezulton edhe ish faturinoja i kthyer në oligark Pëllumb Salillari, i cili vetëm gjatë 5 viteve të fundit ka marrë nga buxheti i shtetit rreth 180 milionë euro, përmes kompanisë së ndërtimit Salillari shpk, me tendera dhe kontrata korruptive, siç edhe rezulton në përgjimet e SPAK-ut.

Sipas burimeve, Pëllumb Salillari, ashtu si edhe oligarkë të tjerë, i përfitonte tenderat e rrugëve me porosi, ndërhyrje korruptive dhe duke dhënë në këmbim para deri në 20 %, asete dhe favore të tjera të paligjshme. Në këtë formë korruptive, Salillari ka përfituar edhe tenderin që reflektohet në njoftimin e SPAK-u “Plotësimi, rakordimi dhe vazhdimi i punimeve Sheshi Shqiponja-Lumi i Tiranës, Loti 1 dhe QMT, me vlerë 23 milionë euro.

Pa pritur vendimin e Gjykatës Kushtetuese, SPAK i kërkoi me nxitim Kuvendit heqjen e imunitetit zv/kryeministres Belinda Balluku, për t’i hapur rrugë arrestimit të saj. Teksa Balluku ka imunitet dhe Vis Berberi është në burg, duket i dyshimtë fakti se pse SPAK nuk kërkon fillimitsht arrestimin e Pëllumb Salillarit, i cili rezulton se ka korruptuar krerët e ARRSH-së në këmbim të tenderave me pazar në tavolinë.

Biznemenët e tjerë të implikuar

Në dosjen e SPAK-ut për korrupsionin me rrugët janë të implikuar rreth 30 biznesmenë, të cilët kanë përfituar tendera me pazar në tavolinë, duke korruptuar titullarët e ARRSH-së dhe nivele qeveritare. Mes tyre mund të përmendim Artan Sako, Bashkim Ulajn, Ardit Metaliajn, Alfred Ibrahimi, Eduard Ibrahimi, Çuman Sejdiaj, Gramos dhe Bajram Dalipi, Idajet Ismailaj, Bledar Lloshi, Giovanni Pascale, Kujtim Arifaj, Vladimir Pjetërgjokaj, Paqësor Buzi, Gëzim Dani, Donika Senka, Ylli Senka etj.

Entela Çano skemë vjedhje me Pëllumb Salillarin

Entela Çano, administratore dhe pronare e kompanisë suprvizuese A & E ENGINEERING sh.p.k., rezulton nga hetimet e SPAK-ut në rolin e ‘tutores’ së kryebashkiakut të Kolonjës, Erion Isai, i njohur si Çuçka e Kolonjës, në aferat korruptive me tenderat publikë. Si ‘fillestar’ në operacionet e vjedhjes së parave publike, Çuçkës së Kolonjës i ofruan ‘ustalleshën’ Entela Çanon, për kopsitjen e praktikave korruptive në Bashkinë e Kolonjës.

Si një zanatçije e vjetër e zhvatjes së fondeve publike, Entela Çano vepron me shpejtësi, ndërsa në komunikime tregohet e rezervuar, e matur dhe fjalëpakë, ndërsa Çuçka i nxituar dhe i paduruar, ku shprehet ‘jepi shefe’, ‘zjarr shefe’, ‘je yll’, ‘vulose tani’ etj.

Entela Çano është ‘çelësi’ i vjedhjes me tendera i oligarkut Pëllumb Salillari, një prej hajnave më të frikshëm në historinë e pluralizmit shqiptar, me një avantazh të dukshëm në raport me ‘ujqërit’ e tjerë të tenderave, pasi Salillari ka investuar miliona euro nga paratë e vjedhura, duke rekrutuar drejtues policie, gjyqtarë, prokurorë, hetues të BKH-së, madje edhe një prokuror të SPAK-ut.

Entela Çano është paketë me Salillarin, kur ky i fundit përfiton një tender publik. Nëse Salillari fiton një tender si zakonisht me pazar në tavolinë, mbikëqyrësja e punimeve duhet të jetë Entela Çano me kompaninë e saj të mashtrimit. Entela Çano është dora e Salillarit për certifikimin e punimeve të pakryera dhe deformimin e projekteve, me qëllim vjedhjen dhe ndarjen e parave publike. 

Shembull për SPAK-un 

Në 8 qershor 2019, ish kreu i ARRSH-së, Ergys Verdho shpalli fitues kompaninë Salillari të ish faturinos Pëllumb Salillari dhe Bajrami N të trafikantit të kokainës në Zvicër, Nazif Bajramit, për tenderin ‘Rehabilitim i segmentit rrugor mbikalimi pallati me shigjeta – rrethrrotullimi Shqiponja Loti 1’.

Fondi limit ishte 22 milionë euro, ndërsa oferta fituese 21 milionë euro. Tenderi është anulluar një herë. Janë skualifikuar të gjithë operatorët në këtë garë përveç fituesit. Janë nxjerrë jashtë loje oferta më të ulëta, me pretendimin se firmat pjesëmarrëse po zbatoni kontrata në proces.

Në 20 maj 2019, Autoriteti Rrugor Shqiptar ka shpallur fituese kompanisë supervizuese A & E ENGINEERING sh.p.k, të Entela Çano, për supervizion punimesh ‘Rehabilitim i segmentit rrugor mbikalimi pallati me shigjeta – rrethrrotullimi Shqiponja Loti 1’. Ka pasur ankesa për këtë tender, por siç e thamë më lart Entela Çano është paketë me Salillarin. 

Çfarë ndodh më tej? 

Dyshja Salillari-Çano ‘zbatojnë protokollin’, nisin të vjedhin paratë publike, duke hartuar situacione false për punë të pakryera, një praktikë e zakonshme. 

Salillari bën situacionet për punë që nuk ekszistojnë, Entela Çano i certifikon si supervizore duke i firmosur, ndërsa ARRSH u kalon paratë në llogari.

Kontrolli i Lartë i Shtetit, në një raport auditimi të Autoritetit Rrugor Shqiptar, ka konstatuar se Entela Çano dhe Salillari, vetëm në këtë rast që e sollëm si shembull ilustrues, me situacione false kanë vjedhur 84 milionë lekë, me segmentin mbikalimi pallati me shigjeta – rrethrrotullimi Shqiponja Loti 1. Në çdo rast tjetër Entela Çano rezulton ‘vulë’ në dorën e Salillarit për vjedhjen e parave publike.