Vdekja e punëtorit në Paskuqan/ Si e fshehu policia kompaninë e djalit të Çim Beshirit?

Kronike

Publikuar: 16/12/2025

Vdekja e punëtorit në Paskuqan/ Si e fshehu policia kompaninë e djalit të Çim Beshirit?

Detaje të reja kanë dalë në dritë nga ngjarja e regjistruar paraditen e së dielës në Paskuqan, ku 65-vjeçari Halil Picari, me profesion hidraulik ra nga një pallat në ndërtim dhe për pasojë humbi jetën.

Lidhur me rastin, Policia reagoi vetëm pasi ngjarja u raportua në media dhe bëri me dije se ka vënë në pranga administratorin e firmës nënkontraktore “Al Great” sh.p.k., Avni Mekshi.

Ndërkohë burime për mediat bëjnë me dije se, kompania ndërtuese e objektit është “Fare Bau Albania” sh.p.k., e administruar nga Fabio Beshiri, djali i Shkëlqim (Çim) Beshirit, detaj ky i cili nuk është bërë publik në njoftimin zyrtar të policisë.

“Në orën 18:00, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 5 arrestuan në flagrancë shtetasin A. M., 61 vjeç, me detyrë administrator i firmës nënkontraktore, pasi rreth orës 10:30, të ditës së sotme, në Paskuqan 1, gjatë punës, ka rënë nga lartësia shtetasi H. P., 64 vjeç (punëtor për punime hidraulike), i cili si pasojë ka humbur jetën”,- thuhej në njoftimin e Policisë.

Nuk dihet përse policia ka zgjedhur ta mbajë të fshehtë ngjarjen dhe të mos marrë masa për kompaninë ndërtuese, në një kohë kur ligji shqiptar parashikon përgjegjësi të përbashkët për garantimin e sigurisë në kantieret e ndërtimit.

Po kush është Shkëlqim (Çim) Beshiri?

Shkëlqim Beshiri, është biznesmeni i njohur si “lavatriçja” e parave të politikanëve, i cili ka shndërruar industrinë e ndërtimit në Shqipëri në një skemë masive pastrimi parash. Ai ka marrë me dhjetëra leje ndërtimi në Tiranë, Durrës, Lalz, Vlorë, Himarë, Sarandë, Lezhë e Shkodër, duke ngritur perandorinë e tij mbi financime të dyshimta, që nuk kanë kaluar kurrë përmes sistemit bankar.

/Boldnews