Video / Debatet në mbledhjen e Kryesisë së PD, Salianji rrethohet nga gazetarët, Sali Berisha ikën në heshtje nga selia

Aktualitet

Publikuar: 13/12/2025

Video / Debatet në mbledhjen e Kryesisë së PD, Salianji rrethohet nga gazetarët, Sali Berisha ikën në heshtje nga selia

Në përfundim të mbledhjes së Kryesisë së PD, ku pati debate të ashpra, interesi i gazetarëve ishte tepër i lartë për të dëgjuar Ervin Salianjin, i cili ka dalë nga rreshti dhe i kërkoi hapur dorëheqjen Flamur Nokës edhe brenda mbledhjes së PD. Në këto video dallohet momenti kur Salianji është i rrethuar nga gazetarët, ndërsa Berisha del nga selia blu, ndalo në një moment dhe largohet në heshtje drejt makinës.

Debatet në Kryesi, Salianji i kërkon dorëheqjen Nokës

Mbledhja e Kryesisë së PD, 4 orë dhe me dyer të mbyllura, u përfshi nga debate të ashpra, e me tone të larta të cilat u dëgjuan edhe në korridoret e selisë blu nga gazetarët. Ishte hera e parë që nga nisja e lëvizjes që konkurron linjën e PD-së, që ish-deputeti Ervin Salianji u ul përballë kolegëve anëtarë të kryesisë, dhe i tha në sy me emra, se kë bën përgjegjës për thellimin e humbjeve të njëpasnjëshme të PD-së përballë mazhorancës socialiste.

 “Jep dorëheqjen Flamur. E ke shkatërruar partinë“, mësohet t’i jetë drejtuar Sekretarit të Përgjithshëm të PD-së, Flamur Nokës, qëndrim që e nuk e mohoi edhe në përfundim të mbledhjes

“I kam thënë gjithçka që kisha për të thënë në mbledhje”, tha Salianji pas mbledhjes së Kryesisë së PD.

Flamur Nokën e bën përgjegjësin kryesor për zgjedhjen e Endri Shabanit siAvokat Populli me firmat e demokratëve, edhe pse formalisht opozita u tërhoq nga nënshkrimet.

“Po bëj përgjegjës drejtuesit e PD për paqartësinë në vendimmarrje të caktuara”, tha Salianji.

Numri 2 i partisë, iu përgjigj me të njëjtat akuza të artikuluara edhe nga Berisha si grup tradhtar

“Dorëheqja ime apo dikujt tjetër këtu qetëson vetëm një gjë, Ramën dhe shërbëtorët e tij”, tha Noka.

Madje për të justifikuar dështimin me mbështetjen nga vetëm një grusht militantësh të foltoreve para kryeministrisë dhe ato që Sali Berisha ka nisur paralel me turin e Salianjit nëpër rrethe, Noka, shkon në të tjera skenare: “Kemi pasur ankesa nga Elbasani që Suel Çela është angazhuar për të kërcënuar demokratë që të mos marrin pjesë në foltoren e Berishës, por në atë tjetrën”.

Përgjigjen se kush e ka mbështetjen e vërtetë ia dha anëtari i kryesisë Bislim Ahmetaj, i vetmi që në mbledhjen me dyer të mbyllura, mësohet se i doli në krah Ervin Salianjit dhe lëvizjes që ai ka nisur për një rizgjim të PD-së.

“Dil ti Flamur, a mbledh dot njerëz?  Se ne jemi shumë të zënë si parti, mbajmë ty me makinë 100 mijë euro me kondicioner ndezur behar e dimër”, ka thënë Ahmetaj. 

Brenda mbledhjes së Kryesisë, ish-deputeti Salianji është përplasur edhe me Sali Berishën.

“Sot mendova se e kishim mbledhjen për të rrëzuar Ramën, e paskeni me mua. Po e zhvendosni vëmendjen plotësisht nga Rama”, mësohet të ketë thënë Salianji në mbledhjen me dyer të mbyllura të kryesisë.

Nga burimet brenda mbledhjes së kryesisë, mësohet se Salianji i është drejtuar Berishës se cili nen i statutit, ndalon anëtarët e kryesisë të takojnë demokratët.

“Demokratët e neglizhuar duhen dëgjuar jo përjashtuar si tek PS, kush mendon ndryshe është vlerë dhe jo problem”, është shprehur Salianji.

Ndërkohë debate kanë patur edhe për për moskandidimin në listat e 11 majit të Hysen Kadisë, pavarësisht se demokrati i Kavajës doli më i votuari në Qarkun Tiranë në Primaret e organizuara nga vetë kryedemokrati.

Berisha: Ata që po shkojnë tek takimet jashtë axhendës së partisë janë ata që në fushatë nuk punuan një ditë për PD-në por për Edi Ramën. Hysen Kadia ishte në Amerikë. Nuk bëri një ditë fushatë. Kam mesazhet.

Salianji: Kam unë fotografi fshatrave të Kavajës duke bërë fushatë (demokrati më i votuar i primareve në qarkun Tiranë). Kjo nuk është e vërtetë.