Uji i ndenjur ka nevojë për rifreskim, Hysen Kadiu i përgjigjet Berishës: Doktor, të kanë keqinformuar. Nuk kam punuar për Edi Ramën më 11 Maj, por për PD-në

Politikë

Publikuar: 13/12/2025

Uji i ndenjur ka nevojë për rifreskim, Hysen Kadiu i përgjigjet Berishës: Doktor, të kanë keqinformuar. Nuk kam punuar për Edi Ramën më 11 Maj, por për PD-në

Mbledhja e kryesisë së sotme të PD-së është zhvilluar me tensione të shumta, ku, ndër të tjera, Berisha është shprehur se Hysen Kadiu, më i votuari i primareve të 11 Majit, që u la jashtë listës së deputetëve, ka punuar në zgjedhje për Edi Ramën.

Nëpërmjet një reagimi, Kadiu i kujton Berishës se uji i ndenjur ka nevojë për rifreskim, ndërkohë që i tregon edhe të gjithë aktivitetin e tij politik gjatë fushatës së 11 Majit.

“Sot në mbledhje të Kryesisë, kryetari Sali Berisha, ndër të tjera, ka hedhur akuza edhe ndaj meje, se gjatë fushatës së zgjedhjeve të 11 majit kam punuar për Edi Ramën dhe nuk kam dhënë asnjë kontribut për PD.
I them doktor Berishës dhe të gjithë atyre që i rrinë afër dhe e kanë keqinformuar, se aktiviteti im gjatë fushatës është publik në Facebook-un tim. Sikundër, më mirë se kaq, këtë e dëshmojnë qytetarët e Kavajës dhe zonave përreth, që si në fushatë, para dhe pas saj, kemi qenë në kontakte dhe takime të vazhdueshme.
Beteja jonë nuk është me PD-në dhe demokratët, por me Edi Ramën. Çdokush që përpiqet të hedhë baltë mbi kontributin tim personal dhe të gjithë atyre që duan më të mirën për PD-në, janë të interesuar vetëm për karrigen e tyre.
Demokratët kanë sot më shumë se kurrë nevojë për bashkim dhe jo për përçarje, për organizim dhe jo për “armiq të brendshëm”. Asgjë e keqe nuk i vjen PD-së nga kritikat dhe riorganizimi. Sikundër uji i ndenjur prej shumë vitesh ka nevojë për rifreskim, dhe këtë e thonë me zë të ulët edhe ata që përpara Sali Berishës heshtin.
Ndërsa ne kemi vendosur ta themi me zë të lartë, përpara se të jetë vonë.” – shkruan Kadiu në profilin e tij në rrjetin social facebook.