Policia e Shkodrës ka dhënë detaje lidhur me sherrin që ndodhi mes adoleshentëve një ditë më parë, në lagjen “Kongresi i Permetit”.
Sipas policisë sherri ka nisur për motive të dobëta dhe disa të rinj janë konfliktuar fizikisht me njëri tjetrin. Si pasojë janë dëmtuar dy të mitur 17-vjeçare.
Pas hetimeve të ngjarjes janë arrestuar 24-vjeçari Klevin Thepi dhe 19-vjeçari Doronesto Kulla.
Gjithashtu janë proceduar edhe pesë shtetas të mitur, katër prej tyre 17 vjec dhe një 16 vjeç. Ndërkohë gjatë kontrolleve fizike, një 17-vjeçari i është gjetur kanabis, e cila është sekuestruar në cilësinë e provës materiale.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër arrestuan shtetasit K. Th., 24 vjeç, dhe D. K., 19 vjeç, dhe filluan procedimin penal për pesë shtetas të mitur (4 prej tyre 17-vjeçarë dhe një 16-vjeçar).
Këta shtetas, në rrugë, në lagjen “Kongresi i Përmetit”, për motive të dobëta, janë konfliktuar fizikisht me njëri-tjetrin dhe si pasojë, kanë pësuar dëmtime të lehta dy shtetas të mitur 17-vjeçarë. Në bashkëpunim me Prokurorinë vijon puna për dokumentimin e plotë ligjor të rastit”, njoftoi policia.