Klodian Braho zgjidhet me 7 vota kreu i ri i SPAK, Xholi 3 vota. Ja platforma e pasuesit të Dumanit: BKH-ja të bëjë vetë arrestimet

Kronike

Publikuar: 11/12/2025

Klodian Braho zgjidhet me 7 vota kreu i ri i SPAK, Xholi 3 vota. Ja platforma e pasuesit të Dumanit: BKH-ja të bëjë vetë arrestimet

Prokurori Klodian Braho u zgjodh kreu i ri i Prokurorisë së Posaçme. Braho mori 7 vota nga anëtarët e KLP. Ndërkohë Adnan Xholi mori 3 vota. Dolorez Musabelliu mori 0 vota. Ervin Gogaj mori 1 votë. Mandati i Brahos është 3 vite pa të drejtë rizgjedhjeje. 

Gjatë prezantimit të platformës së tij, Braho tha se duhej forcuar BKH-ja. Sipas tij, BKH duhet t’i bëjë vetë arrestimet, pa policinë.

“SPAK s’ka patur kapacitete për vëzhgimin e personave dhe realizmin e përgjimeve në vende private. Veprimtaria e SPAK dhe BKH ka qenë e kufizuar nga institucione të tjera si policia e shtetit. Duhet të merren masa për krijimin e një njësi me mjete teknike të nevojshme, trajnimin e personave përkatës. Duhet të merren masa për krijimin e një njësie taktike që për çështje të caktuara, BKH ta realizojë vetë ekzekutimin e masave të sigurimit”, tha Braho.

Po ashtu, Braho tha se parashikon të Kod Etike për hetuesit e BKH-së, përmes së cilit parashikohen deri procedime disiplinore.

Kod Etike për hetuesit e BKH, sjelljet jo etike do vlerësohet si shkak për procedim disiplinor”, tha Braho.

Kush është Klodian Braho?

Klodian Braho është prokuror i SPAK. Ai u emërua në këtë institucion më 19 dhjetor 2019, pas konfirmimit në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit në kuadër të procesit të rivlerësimi ose ndryshe siç quhet, procesi i vettingut.

Braho ka hyrë në sistemin e drejtësisë më 14 nëntor 2007, pas përfundimit të studimeve në Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Tiranës dhe Shkollën e Magjistraturës.

Karrierën si prokuror e nisi në Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Berat, ku punoi deri në vitin 2012. Më pas u transferua në Prokurorinë e Vlorës, ku ushtroi detyrën deri në vitin 2015, përfshirë një periudhë si zëvendësdrejtues i këtij institucioni.

Në vitin 2015, Braho u emërua në Prokurorinë për Krime të Rënda në Tiranë, ku u përfshi në hetime të çështjeve me karakter të veçantë penal. Pas shpërbërjes së kësaj prokurorie dhe krijimit të SPAK, ai u emërua prokuror në strukturën e re.

Gjatë karrierës së tij, Braho ka qenë pjesë e hetimeve që lidhen me zyrtarë të lartë dhe subjekte të dyshuara për krim të organizuar. Ndër dosjet që ka ndjekur përmendet ajo ndaj ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla.

Në korrik të vitit 2019, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit e konfirmoi në detyrë me vendimin nr. 191, duke i hapur rrugë emërimit në SPAK.

Në vitin 2022, ai u përfshi në procesin e kandidimit për postin e kreut të SPAK, por më pas u tërhoq nga gara.