Urdhri i Stomatologut të Shqipërisë ka reaguar zyrtarisht pas disa publikimeve në portale, të cilat kanë raportuar për një “zgjedhje të re të Presidentit të USSH”. Nëpërmjet një njoftimi publik, institucioni sqaron se këto lajme janë të pavërteta dhe përbëjnë dezinformim.
Sipas USSH, procesi i ligjshëm i zgjedhjeve për strukturat drejtuese, përfshirë Presidentin dhe Zv. Presidentin për mandatin 2025–2030, është zhvilluar dhe përfunduar me sukses më 16 prill 2025. Ky proces, thekson institucioni, nuk është kontestuar në asnjë organ gjyqësor dhe është njohur zyrtarisht nga të gjitha organet publike të Republikës së Shqipërisë, përfshirë Ministrinë e Shëndetësisë, e cila ka caktuar përfaqësuesit e saj në organet e USSH.
USSH thekson se informacionet e qarkulluara në disa media nuk kanë asnjë bazë ligjore dhe synojnë “dezinformimin dhe çorientimin e stomatologëve, ndihmësstomatologëve dhe opinionit publik”.
Institucioni bën të ditur se çështja po ndiqet pranë organeve kompetente ligjore, ndërsa nënvizon se USSH vijon normalisht veprimtarinë e saj në përmbushje të misionit të përcaktuar me ligj.