“Fillimet”, Preç Zogaj rrëfen si tronditi Zëri i Amerikës me Lajmin: Ismail Kadare ka kërkuar Azil në Francë

Aktualitet

Publikuar: 05/12/2025

“Fillimet”, Preç Zogaj rrëfen si tronditi Zëri i Amerikës me Lajmin: Ismail Kadare ka kërkuar Azil në Francë

Në Librin “Fillimet” të UET Press, Preç Zogaj pasqyron rrethanat e Shqipërisë në momentet kur po binte regjimi komunist por edhe më tej në nisjen e demokracisë dhe me dokumente të plota e dëshmi nga personazhet e kohës. Sot vijojmë me momentet e largimit të Ismail Kadaresë nga Shqipëria dhe reagimin që soli lajmi i dhënë në Zërin e Amerikës

Vijon nga Dje …. Nga dita kur Kadare mori avionin filluam të numëronim ditët, në pritje të çastit kur ai do njoftonte nga Parisi moskthimin e tij. Kaloi një javë, kaloi edhe një tjetër. Asgjë. Asgjë akoma. Ishte një situatë e pagjasë ajo që ne po jetonim. Kishim perceptuar një arrati nga metaforat dhe shenjat e shkrimtarit, kishim lidhur një përbetim për të heshtur deri ditën e shpalljes, pa na thënë ai asgjë konkrete, kishim vënë një bast tonin për të gjitha këto, kishim jetuar e po jetonim akoma në epërsinë e një dijeje të sigurt, epërsi e cila sikur po na rrëshqiste nga duart, po venitej ngapak, po shndërrohej në padurim, dyshim, vuajtje. Po sikur ta kemi keqkuptuar? Po sikur të ketë ndërruar mendje? Po sikur të kthehet nga Franca dhe ta shohim si gjithnjë aty rreth orës dymbëdhjetë në shkallët e jashtme të Lidhjes së Shkrimtarëve, duke tymosur një cigare si dikush që nuk e pi, por s’ka dashur t’ja prishë asaj që ia ka zgjatur, – “cigarja e një femre nuk mund të refuzohet “!

…E kishim menduar qysh në krye sa keq do të ndiheshim në momentin e parë kur të jepej lajmi i moskthimit të tij. Por kthimi i tij në rrethanat e krijuara do të ishte një goditje shumë më e rëndë. Kthimi në normalitet, me cigaren e trillit në buzë, si mbyllja me kapak të rëndë e sa e sa pritshmërive! Ai burri që i kishte ngritur nervat në rrugë e kishte dashur në burg, kurse ne jo që nuk kishim dashur, por as do t’a kishim miratuar një gjë të tillë. Kishte qenë e ishte shumë më i dobishëm me letërsinë e tij të mrekullueshme, se sa si një i burgosur politik më tepër. Nuk kishin të drejtë t’i kërkonim më shumë shkrimtarit që kishte sjellë si askush tjetër iluminim dhe ngushëllim në jetën tonë të mjerë. Por që të kërkonte azil politik në Francë, tani që kishte edhe gruan e vajzat atje, këtë e pretendonim prej tij. Nganjëherë më shkonte në mendje se Kadare ishte joshur e tërhequr në një lojë të ulët dhe të errët të vetë regjimit, që ndoshta nuk e donte më në Tiranë, nuk e donte më nëpër këmbë, ndërsa kushedi ç’po përgatiste për të mbijetuar. Rri, mos u kthe! Ne po t’i krijojmë kushtet të rrish! Je në Francë me gruan dhe me vajzat. Për herë të parë jeni jashtë shtetit gjithë familja. Nuk mund të thuash nesër u ktheva sepse po të mos kthehesha do të më internonin gruan dhe vajzat. S’kemi kë të internojmë. Ishin ditë të vakëta, të squllura, të pabesa gjithashtu, mbushur me limontinë e varfërisë së përgjithshme, me rrotullimin në vend të shpresave për ndryshime, me shkëndijimet e izoluara, por të serta të shpirtit të revoltës, me lajmet fragmentare mbi përpjekjet e Ramiz Alisë për t’i zgjatur ditët socializmit me truke, makiazhe dhe ndihma nga jashtë. Tirana natën kridhej në trishtimin e shtuar të pllangave të errësirës në qendër të saj, që vinin duke u rritur e duke pushtuar qytetin në periferi, ngaqë kërkush nuk kujtohej ose nuk kishte mundësi të zëvendësonte llampat e djegura të shtyllave të ndriçimit. Në një prej këtyre pragmbrëmjeve, ekzaktësisht më 24 tetor, kur ia kishte behur edhe një shi me pikatore si vetë varfëria e vendit, mbërriti lajmi se shkrimtari Ismail Kadare kishte kërkuar azil politik në Francë. Nuk do ta harroj momentin kur valët e radios “Zëri i Amerikës” shkarkuam mbi audiencën mbarëshqiptare zërin e tij të thellë, të veshur me solemnitet dhe emocion… Vendimi për të lënë vendin tim është vazhdim logjik i gjithë asaj që kam mbrojtur deri më sot në veprën time… Deklarata e shkrimtarit shqiptar po bënte xhiron e botës. Më tingëlloi aq e afërt sa mu duk se sapo ishim ndarë afër apartamentit të tij në Tiranë. Në Shqipërinë e mbyllur fjalët e tij të rënda, me një vezullim të brendshëm shprese, sikur derdheshin nga një e çarë e qiellit. Në Tiranë binte shi. Mbretëronte kudo qetësia e një fundosjeje, faljeje dhe bekimi. Një ngazëllim i heshtur kishte veshur fytyrat e miqve të mi të ngushtë. Ndiheshim krenarë. Ne nuk ishim si ithtarët e Galileo Galileit, që kishin patur fatin e keq të zhgënjeheshin në fund me idhullin e tyre dhe të talleshin, paskëtaj, nga kundërshtarët. Idhulli ynë e kishte mbajtur fjalën që na kishte dhënë… me shenja.

Të shpërblyer në pritjen tonë dhe plot kureshtje për të mësuar reagimin e regjimit që po heshtte si një sfinks i tulatur, i thamë njëri- tjetrit natën e mirë për t’u takuar si gjithnjë të nesërmen, por tani në një Shqipëri tjetër, në një Shqipëri pa Kadarenë. Pas disa minutash, duke ecur në këmbë në rrugicën e ngushtë të lagjes ku kisha shtëpinë, diku afër qendrës spitalore, ndjeva të më pushtonte një valë e beftë dëshpërimi. Ishte si një therje e çliruar nga mpirja. Tani që isha vetëm me natën dhe shiun që binte si një gjë e lënë pasdore, tani që ishte bërë fakt, ikja e Kadaresë nuk kishte më shijen e gëzimit, por të zisë. Vendi papritur ishte varfëruar tmerrësisht shumë pa të. Dukej pa kuptim. Një boshllëk i stërmadh ishte hapur, zembreku i kohës sikur po shpërdridhej me shpejtësi. Ishte njëlloj si të kishim humbur diçka që na mbante të lidhur me mbrëmjet, mëngjeset dhe ëndrrat. Kadare ishte bërë për të mos e lënë vendin e tij, për të mos munguar gjatë, pavarësisht se kjo mund të ishte një barrë për të. E nesërmja, e pasnesërmja dhe ditët e tjera me radhë do të vinin për t’i vënë gjërat në vendin e tyre. Përballë zhvillimeve dhe ngjarjeve që po mbruheshin në Shqipëri, mungesa e Kadaresë ishte më pjellore se prania. Në mungesë, ai filloi të shndërrohej me shpejtësi në një ikonë të ëndrrës europiane të mbarë brezit të ri. Ikja e Kadarese në fund të muajit tetor 1990 u njoftua në një periudhë kritike, kur regjimi i Tiranës, pas goditjeve që kishte marrë nga ngjarjet e ambasadave dhe përpjekjet për demonstrata popullore në Shkodër, Tiranë, Kavajë, e tjerë, po rrekej të hapte një të ashtuquajtur periudhë ristabilizimi, nëpërmjet disa ndryshimeve për fasadë që kishin për qëllim të siguronin vazhdimësinë e tij. Pikërisht në këtë kohë pezull të mbushur me zhgënjime, Ismail Kadare mori vendimin e tij historik, duke vënë një kufi të ri midis demokratizimit që predikonte regjimi dhe demokracisë që ëndërronte shumica e shqiptarëve. Deklarata e tij e paharrueshme e largimit ishte jo vetëm njoftimi i një akti, por edhe dokumenti i një platforme luçide për të ardhmen e Shqipërisë se re dhe Kosovës së re. Me zërin e intelektualit të vet më të njohur, kombi shqiptar i njoftoi mbarë botës aspiratat e veta për liri, demokraci, të drejta politike dhe kombëtare. Historia nuk zhvillohet si një pjesë teatrale ku personazhet dhe gjithkush tjetër mund të lexojnë fundin para fillimit. Në politikë ngjarjet zbulohen duke ndodhur. Në ketë kuptim, ikja e Kadaresë në tetor të vitit 1990 ishte një akt politik dhe intelektual i guximshëm me efekte pozitive të jashtëzakonshme për kursin që morën zhvillimet demokratike të kohës në Shqipëri. Ikja e tij prishi projektin e ndryshimeve për ndryshime, ndezi mendjet dhe shpirtrat e rinisë, përshpejtoi fillimin e lëvizjes demokratike studentore dhe mbarëpopullore të dhjetorit 1990. Studentët që u ngritën për të kërkuar pluralizmin dhe Shqipërinë europianë mbanin portretin e tij në duar. Në të vërtetë, ikja e Kadaresë rezultoi të ishte fillimi i numërimit mbrapsht për diktaturën shqiptare. Por këtë nuk mund ta dinte njeri në tetor të vitit 1990. Regjimi e dënoi me një deklaratë të zbehtë vendimin e Kadaresë për të mos u kthyer në Shqipëri pa u vendosur demokracia. Në vend të stigmatizimit dhe hakmarrjes së egër, që kishte qenë përgjatë viteve standardi i qëndrimeve ndaj tradhtarëve dhe armiqve të partisë, Tirana zyrtare përshtati një qëndrim në pamje të parë nënvlerësues. Një nga njerëzit me të afërt të Ramiz Alisë, Sofokli Lazri, që kishte reputacionin e një njeriu të mprehtë, u tha disa gazetarëve shqiptarë e të huaj se Kadare kishte thyer një derë të hapur. Ramiz Alia deklaroi se ikja e tij ishte veprimi i një politikani të keq nga një shkrimtar i fuqishëm, deklaratë e cila përcaktoi edhe vijën e sjelljes ndaj Kadaresë pas largimit. Librat e tij nuk u ndaluan, nuk pati me sa dimë asnjë kontroll nga njerëzit e sigurimit apo policisë në shtëpinë e tij, e vetmja masë në dëm të shkrimtarit ishte pezullimi i librit të ri “Ëndrra mashtruese”, që ishte shtypur dhe po lidhej për t’u hedhur në treg. Ndërkaq, prapa kamerave dhe mikrofonave, gojët e shumëfishta të kryetari të shtetit përhapnin kudo, në redaksitë e gazetave, në zyrat e shtëpive botuese, në studiot e artistëve, në shkolla, universitete, spitale, institucione kërkimore- shkencore dhe deri në kafenetë e periferive tezën se Kadare ishte larguar nga frika e një skenari rumun me përleshje të përgjakshme. Ai e kishte parë veten të rrezikuar dhe prandaj kishte vendosur të ikte për të shpëtuar lëkurën! Shumë vite më vonë Aliaj do t’i bënte jehone kësaj teze në librin e tij me kujtime duke shkruar: “Ndoshta në këtë drejtim mund të kenë ndikuar te ai edhe të huajt, të cilët e ndihmuan të largohej dhe e pritën krahëhapur”. E gjithë kjo ishte një goditje perfide që kërkonte t’i atribuonte Kadaresë autoidentifikimin e tij me regjimin. Njëherësh, ishte edhe një aludim për vënien e tij në shërbim të francezëve, akuzë e vjetër e kundërshtarëve të tij, që s’kanë reshtur së konfonduari promovimin dhe marrjen e tij në mbrojtje nga Franca si shkrimtar me vënin e tij në shërbim të Francës, thënë ndryshe, të shërbyerit prej Francës me shërbyesin e Francës. Pavarësisht nga këto, Kadare u bë një fjalë që ngrinte zemrat peshë dhe ndizte kudo në radhët e rinisë flakën e etjes për liri dhe demokraci. Gjithë çfarë thuhej kundër tij merrej si broçkull e një regjimi rrënjëdalë. Në ikjen e tij, ne shkrimtarët e rinj, kishim njohur çlirimtarin, udhëheqësin e ri, Mandelën tonë, që nuk e kishim në burg- për fat të keq ne nuk e dinim atëherë çfarë burrash të paepur merrnin frymë dhe prisnin orën e lirisë prapa mureve të trashë të burgjeve politikë të kohës-, por e kishim në mërgim dhe kjo ishte e njëjta gjë në fund të fundit. Ekzistenca e çlirimtarit kishte rëndësi, jo vendi ku ndodhej. Por edhe ne duhej t’i pohonim atij në një mënyrë a në një tjetër ekzistencën tonë, duhej të hynim në osmozë me të për ta bërë idenë e lirisë një ide mbizotëruse në të katër anët e vendit.