Në seancën e zhvilluar në GJKKO për dosjen ‘Plumbi i Artë’, dëshmoi dhe një nga personat që ka qenë aty kur iu bë atentat Arben Çetës më 14.11.2013, rreth orës 22:00, në shesh-parkimin e bar-restorant ‘Balla’, në Labinot- Fushë (Elbasan). Dëshmitarja është ish e fejuara e kushëririt të Arbeni.
“Po darkoja me Armand Hoxhën, ish të fejuarin tim sepse kisha ditëlindjen. Aty ishte Arben Çeta e ka kushëri ish i fejuari im. Në moment të fundit njoftuam Arben Çeta që të darkonte me ne, sepse ai jeton ngjitur me mua. Në dijeninë time, Arben Çeta kishte qenë në burg për një vrasje.
Ndenjëm deri në orën 23.00 dhe më pas u larguam. Makinat tona ishin ngjitur, unë dhe Armandi ishim më vete, Çeta më vete. Në momentin që po iknim u qëllua në drejtim të Arben Çetës. Ai hyri njëhere drejt lokalit, ndërsa ne ishim akoma aty. Vazhdonin ta qëllonin ndërkohë që ai u largua drejt lokalit.
Ne patëm goditje të lehte në këmbë. Arben Çeta u fut te pjesa e banakut në lokal. Unë u trondita sepse kisha ditëlindjen, më vonë u interesua ish i fejuari im te Arbeni.
Ngjarja ndodhi në muajin nëntor 2013, pash vetëm një person me maskë. Ai gjuajti nga dy metra largësi. U futa direkt në makinë për të iku. Nuk e pashë në çfarë drejtimi iku autori. Ishim te restorant “Balla”. Xhamat e lokalit u thyen.
Kisha dëgjuar që ai kishte bërë një vrasje dhe që sa kishte dal nga burgu. Nuk vura re ndonjë shqetesim te ai gjatë darkës. Edhe pse u plagosa ishte e vetëdijshme, shkova në spital mjekova plagën, njoftova dhe familjen”, dëshmitarja në GJKKO.
Për atentatin ndaj Arben Çetës i akuzuar është Talo Çela dhe Nuredin Dumani. Ndaj tij rëndon akuza e “Prodhimit, mbajtjes, blerjes apo shitjes pa leje të armëve të ftohta”, atë të “Vrasjes me paramendim”, (e mbetur në tentativë) të Arben Islam Çetës. Ky i fundit u vra më 30 prill 2014.
Në dëshminë e tij për SPAK, Nuredin Dumani tha se Talo Çela që i ka kërkuar të vriste Çetën, ndërsa si ndihmës ka marrë edhe Tom Çelën, i njohur si Tom Qorri.
Edhe pse iu premtuan 30 000 Euro, Dumani thotë se nuk ka marrë asgjë, madje dhe është plagosur pa dashje nga Qorri. Teksa rrëfehet, Dumani madje ka treguar me detaje skemën e ngjarjes, nga hipja në pishë, deri tek frikësimi i shënjestrës që përdorte një grua për të mbrojtur trupin e tij.