Niko Peleshii: Ja pse buxheti 2026 ka sinergji me Planin e Rritjes së BE. Kontrata jonë me qytetarët dhe Europën

Aktualitet

Publikuar: 03/12/2025

Niko Peleshii: Ja pse buxheti 2026 ka sinergji me Planin e Rritjes së BE. Kontrata jonë me qytetarët dhe Europën

Nga Niko Peleshi

Pas miratimit në parim, Kuvendi do të shqyrtojë e miratojë së shpejti, nen për nen e në tërësi, projektin e buxhetit të vitit të ardhshëm.

Shqyrtimi i buxhetit përkoi me një ngjarje të rëndësishme për Shqipërinë, rajonin dhe Europën, organizimin në Tiranë të Samitit të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor. Kjo veprimtari dëshmoi edhe njëherë se de facto Shqipëria po kontribuon si një vend anëtar i BE-së dhe Tirana si një ndër kryeqytetet e shteteve të saj.

1. Sinergjia midis Planit të Rritjes dhe Buxhetit të Shtetit

Si një nismë strategjike, Plani i Rritjes mbështet financiarisht zbatimin e reformave transformuese në Shqipëri dhe vendet e Ballkanit Perëndimor në disa aspekte thelbësorë si sundimi i ligjit, mirëqeverisja, administrata publike etj., në rrugëtimin e tyre drejt familjes europiane.

Nga Plani i Rritjes Shqipëria do të përfitojë rreth një miliard euro.  Por rëndësia e Planit nuk lidhet vetëm me mbështetjen financiare, edhe pse ajo është e konsiderueshme për buxhetin e Shqipërisë, por me nxitjen e bashkëpunimit ekonomik me vendet e rajonit dhe konvergjencën ekonomike me BE-në, në sektorë të rëndësishëm si energjia, infrastruktura, shërbimet publike, mobiliteti, konektiviteti, investimet, digjitalizimi, etj.

Harmonizimi i burimeve nga Plani i Rritjes me ato të buxhetit të shtetit përshpejton procesin e anëtarësimit, mbështet avancimin e reformave dhe nxit protagonizmin dhe lidershipin rajonal të Shqipërisë.

Fakti që Shqipëria po zbaton me performancë të lartë masat e Planit të Rritjes, në disa raste edhe para afateve të parashikuara, është një garanci edhe për shfrytëzimin sinergjik të financimeve të tij me burimet buxhetore.

2. Mbështetje buxhetore për përshpejtimin e anëtarësimit në BE

Samiti i Planit të Rritjes, u parapri nga miratimi në parim prej Kuvendit i buxhetit të vitit 2026. Buxheti harmonizon mbështetjen me burimet e nevojshme financiare të tri shtyllave kryesore të zhvillimit të vendit: mirëqenies së qytetarëve, rritjes ekonomike të qëndrueshme, konsolidimit fiskal, me shtyllën e katërt, e cila është bërë tashmë prioriteti i prioriteteve tona: përshpejtimin e procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Shqipëria është sot vendi kandidat pararojë që ecën me më shumë shpejtësi, qartësi e vendosmëri drejt familjes europiane.

Si garantues i legjitimitetit demokratik, karakterit gjithëpërfshirës dhe transparencës së integrimit europian, Kuvendi vlerësoi mobilizimin nga Qeveria të burimeve të nevojshme për mbështetjen e këtij procesi.

Buxheti 2026 do të jetë buxheti i vitit kur bashkëpunimi me Bashkimin Europian do të jetë i shumëanshëm dhe intensiv. Prandaj, përveçse pjesë e kontratës së Qeverisë me qytetarët, për më shumë mirëqenie e dinjitet, buxheti do të jetë edhe pjesë e kontratës së Shqipërisë me Europën.

3. Mbështetje reformave transformuese dhe institucioneve të pavarura, si roje të interesit publik

Përveç misionit kryesor, rritjes së mirëqenies së qytetarëve, buxheti 2026 mbështet avancimin e reformave transformuese drejt objektivit strategjik kombëtar: anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian brenda kësaj dekade.

Buxheti mbështet me burimet e nevojshme institucionet e pavarura, si roje të interesit publik dhe qytetar.

Kjo është dëshmi e vullnetit tonë për të mbrojtur e mbështetur institucionet demokratike, për të konsoliduar shtetin e së drejtës dhe vlerat demokratike, për të garantuar ndarjen e pushteteve dhe, mbi të gjitha, pavarësinë e sistemit të drejtësisë.

Investimin politik, kombëtar e institucional për mbështetjen e institucioneve të drejtësisë, buxheti do ta plotësojë edhe me burimet e nevojshme financiare.


4. Mirëqenia e qytetarëve, kryefjala e buxhetit

Buxheti i vitit 2026 niset nga parimi se mirëqenia e qytetarëve rritet në mënyrë të qëndrueshme nëse mbështetet në politika zhvillimore, jo thjesht në masa rishpërndarëse.

Pagat, të ardhurat, pensionet dhe përfitimet e tjera për qytetarët po rriten nëpërmjet harmonizimit të rritjes ekonomike dhe shtimit të investimeve, jo vetëm drejt drejt sektorëve me vlerë të shtuar, por edhe drejt atyre që prodhojnë më shumë punësim, akses në treg dhe mundësi zhvillimi për komunitetet lokale.

Sinergjia midis rritjes ekonomike, e cila për vitin që vjen parashikohet të jetë rreth 3.9 % dhe mirëqenies, punësimit, i cili do të arrijë mbi 68 %, dhe uljes së papunësisë, e cila vazhdon prej vitesh të jetë njëshifrore, madje në kuotën historike prej 8.5%, është tashmë një realitet i prekshëm në Shqipëri. Ky vizion harmonizon zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik me kohezionin social e territorial.

Pas reformave të thella në ekonomi dhe në sistemin e mirëqenies, burimet e krijuara nga rritja ekonomike kanë mundësuar që rritja e pensioneve të jetë elementi thelbësor përmbajtësor i reformës së pensioneve, duke vendosur njëkohësisht më shumë drejtësi brenda këtij sistemi.

Rritja e pensioneve, e vendosur në kontekstin e marrëveshjeve të nënshkruara me mjaft vende ku jetojnë e punojnë shqiptarët, sidomos marrëveshja me Italinë, plotëson kuadrin e politikave sociale dhe solidaritetit social.

Politikat e reja të pagave përbëjnë një shtyllë të rëndësishme të buxhetit të ri. Rritja e ndjeshme dhe progresive e pagës minimale, e cila deri në fund të mandatit parashikohet të rritet me 75 përqind, dëshmon vlerësimin dhe prioritarizimin e pagave dhe kushteve dinjitoze të punës, si premisa për cilësinë e jetës dhe dinjitetin e njerëzve të punës.

Natyra shoqërisë dhe filozofia e qeverisjes vlerësohen edhe nga prioritarizimi që u bëhet sektorëve të zhvillimit. Shpenzimet për arsimin, shëndetësinë dhe mbrojtjen shoqërore zenë mbi 15 % të PBB, duke dëshmuar vizionin e qeverisjes për shoqëri humane e solidare.