Personi në foto është Xhino Ago, ish-ortak i Mondi Mëhallës, i cili u vu në pranga si bashkëpunëtor në vrasje.
Ai akuzohet për veprat penale “Vrasje me paramendim”, kryer në bashkëpunim, dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.
Ago, ish-ortak me Mëhallën, i dyshuar si bashkëpunëtor, i ka dhënë automjetin njërit prej autorëve.
Ngjarja e rëndë u shënua mbrëmjen e së dielës kur biznesmeni Mondi Mëhalla sapo kishte dalë nga një zyrë në karburantin në pronësi të tij “Xhaxhi Oil” dhe hyrë në makinën tip “Range Rover”. Ai u qëllua tre herë me plumba pistolete, dy prej të cilëve e kapën në kokë duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme.
Njëri nga autorët ka dalë nga makina tip “Audi”, është afruar dhe e ka qëlluar. Dy autorët u larguan më pas drejt Librazhdit, ku edhe dogjën automjetin në fshatin Mirakë.Brenda mjetit, që u gjet e djegur paraditen e djeshme, u gjet edhe një pistoletë Beretta e përdorur në krim.
43-vjeçari nuk ishte person i panjohur për policinë, me precedentë për narkotikë dhe armëmbajtje pa leje. Ai jetonte në Tiranë në zonën e Komunës së Parisit, ndërsa kishte shtrirë prej vitesh aktivitetet e tij të biznesit në Elbasan.