Skandali/ “Mola” e mikrokredive brenda në vetting. Kush është Rudina Sena, kontabilistja e pasurisë së prokurorëve dhe gjyqtarëve të shkarkuar?

Investigim

Publikuar: 01/12/2025

Skandali/ “Mola” e mikrokredive brenda në vetting. Kush është Rudina Sena, kontabilistja e pasurisë së prokurorëve dhe gjyqtarëve të shkarkuar?

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, që njihet me shkurtimin KPK, i përbërë nga 12 komisionerë, për 7 vjet kreu procesin e rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, vettingun e tyre. Nga ky proces u shkarkuan 268 gjyqtarë dhe prokurorë. Një nga tre kriteret që “dogji” dhjetëra gjyqtarë dhe prokurorë që nuk kaluan vettingun ishte “vlerësimi i pasurisë”. Këtë kriter komisionerët e KPK-së e kontrollonin mbështetur tek analizat që bënin këshilltarët ekonomikë të emëruar pranë tyre. Këta këshilltarë të përzgjedhur me konkurrim të rreptë përbënin Njësinë Ekonomike.

Faqja publike e KPK-së tregon emrat e 12 këshilltarëve ekonomikë.

Anora Topi, Bekim Karaj, Denada Kuburja, Enkeleda Kambo, Saimir Emini, Manuela Tandini, Rudina Sena, Pranvera Myrselaj, Siditja Bejtja, Eleana Doko, Elona Özmutlu.

Asnjëherë media nuk i kushtoi rëndësi këshilltarëve të komisionerëve, ata të cilët mblodhën, përpunuan dhe analizuan dokumentacionin e subjekteve të “vetting”, gjyqtarëve dhe prokurorëve. Pavarësisht se vendimet ishin të komisionerëve, “rruga” drejt tyre kalonte nëpër dokumentet që sillnin në tryezë këshilltarët. Ata ekonomikë kishin detyrën më të rëndësishme: se analizonin pasurinë e gjyqtarëve dhe prokurorëve, të familjarëve të tyre.

Rudina Sena ishte një prej këshilltareve të Njësisë Ekonomike. Ajo u emërua në 1.2.2019 si këshilltare ekonomike në KPK me pagë neto 2.2 milion lekë të vjetra. Deklarata në ILDKPI e tregon këtë. Por znj. Sena nuk u mjaftua me këtë detyrë dhe pagë të mirë. Në tetor 2021 ajo hapi një NIPT si kontabiliste, NIPT-i m12016024F, të cilin e mbajti disa muaj hapur për të kryer një mision të caktuar nga Banda e Mikrokredive MCA–ADCA–FINAL dhe CONSULTING COMPANY me NIPT L32325016A me pronar vëllain e saj, Bledi Sena.

Bledi Sena, në fillim në rolin e presta nome dhe më pas një nga më të besuarit e bandës së udhëhequr nga Olsi Ibro, për habi nuk është prekur nga hetimi dhe “bastisja” që kreu prokuroria në vitin 2024. Ai u largua pa u vënë re në ditët e sekuestrimeve të MCA dhe Final me zyra te Kompleksi Usluga, pranë godinës së SPAK, në Tiranë dhe, sipas QKB, me një dividend të majmë afërsisht 100 mijë euro.

Rudina Sena kontabilistja e mashtrimit

Krahas punës si kontabiliste e pasurisë së prokurorëve dhe gjyqtarëve në vetting, motra e Bledi Senës, me firmën dhe vulën e saj, në të njëjtën periudhë kohore, ka lëshuar me mijëra dokumente, që dyshohet se janë fiktive, në mbështetje të mashtrimit të madh të detyrimeve që debitorët kishin ndaj MCA dhe Final.

Faksimile nga dosja penale e SPAK, që ka çuar në gjyq Bandën e Mikrokredive, tregojnë akte të kontabilistes Rudina Sena, që lidhen me raporte detyrimi apo raportime për saktësim detyrimi. Kontabilistja llogariste “kamatat ligjore” për të mashtruarit nga MCA dhe Final, sikur ishin përgjigje për përmbaruesit e bandës së mikrokredive, Fatos Alimadhi dhe Lefter Canaj.

Sipas raporteve të detyrimit që nxirrte Rudina Sena me licencën me numër 576, borxhet e debitorëve rriteshin në mënyrë të papërballueshme sa ata detyroheshin të “dorëzoheshin” dhe të nënshkruanin kontrata të reja me MCA ose Final, në të kundërt u merreshin shtëpitë dhe pronat.

Fiqiri Bruci, Frederik dhe Fatbardha Vatuku, firma “Albaco Shoes” janë disa nga “viktimat” e raporteve që lëshoi Rudina Sena për përmbaruesit e MCA/Final.

Burime nga organi i hetimit konfirmojnë se me emrin e Rudina Senës janë lëshuar më shumë se 4000 “vërtetime” detyrimi për dosje të gjetura në zyrat e MCA/Final kur u sekuestruan te Kompleksi Usluga. Shumica e tyre mbajnë datat e muajit nëntor 2021. Dyshimet e para të organit hetimor ishin se Rudina Sena e kishte “shitur” vulën e kontabilistes tek MCA, dhe aktet e saj ishin fiktive, ashtu si kishin vepruar përmbaruesit e akuzuar për të njëjtin veprim, që prokuroria e kategorizoi si falsifikim të dokumenteve zyrtare.

Bledi Sena në skemën e mashtrimit me kredi

Hetimi ndaj Rudina Senës “ngeci”, në pikën kur edhe i vëllai Bledi Sena, nuk u arrestua, as u hetua për qindra dosje të MCA-së që u gjetën në një ambient të marrë me qira nga ai vetë dhe kompania “CONSULTING COMPANY”. Ambienti me “qira” ishte brenda zyrave të MCA, por Bledi Sena bashkë me punonjësit e “Call Center”-it që drejtonte, u lanë të lirë, pa u implikuar me bandën e mashtruesve edhe pse ishte një ndër kryesorët. Ai pretendoi se ishte në ato ambiente me qira që ia paguante MCA-së.

Micro Credit Vision, u krijua në prill 2020, e regjistruar në QKB me NIPT M01606010A. Objekti i aktivitetit të saj ishte “Mikro Kredia dhe blerja e kredive në vonesë”. Me një kapital 200 milionë lekë të vjetra, ashtu si u krijua, në apartamentin ku banonte vetë Bledi Sena dhe punonjësja e tij Aksinja Senja (bashkëshortja), u likuidua dhe çregjistrua muaj më pas, pasi Banka e Shqipërisë nuk e licencoi. Likuidatore ishte Blerina Çeçi, financierja e “Zig Company” dhe MCA.

Se çfarë pazari u prish në vitin 2020 që nuk u mor licenca e tretë nga Olsi Ibro, bashkë me MCA dhe FINAL, këtë mund ta sqarojnë më mirë autoritetet e Bankës së Shqipërisë, që negociuan me të ndjerin, pasi qarkullojnë shumë spekulime që nuk mund të botohen pa u vërtetuar nga disa burime.

Skandali brenda skandalit dhe merimanga e mikrokredive

Misioni i KPK-së ishte të garantonte transparencën e procesit të rivlerësimit dhe rikthimin e besimit të publikut tek institucionet e drejtësisë. Këtë mision ky organ do ta kryente me 12 komisionerët e vet dhe këshilltarët e tyre ligjorë dhe ekonomikë.

Rudina (Skënder) Sena që nga dokumentat publike rezulton se është motra e Bledi (Skënder) Sena, ka përpunuar me dhjetëra dokumente sensitive të pasurisë së gjyqtarëve dhe prokurorëve të vetuar dhe njëkohësisht ka përdorur emrin dhe vulën e saj të kontabilistes për të mashtruar me mijëra njerëz si pjesë kryesore e bandës së mikrokredive. Një kontabiliste “përpunonte” vlerën e detyrimit, një eksperte e pasurive të paluajtshme “përpunonte” vlerën e pronave, përmbaruesi fiktiv i grabiste ato. Për të ndihmuar skemën mashtruese, një “Call Center” që drejtohej nga Bledi Sena, bënte qindra mijëra telefonata për të shantazhuar dhe tmerruar debitorët. Aty ku punonte gruaja e tij Aksinja Sena (Çuko), e cila nga dokumentet publike rezulton se është e motra e Eliana Martiri (Çuko), e cila punon prej vitesh si “shefe” në Drejtorinë e Tatimeve për subjektet VIP. Redi Martiri bashkëshorti i saj është një nga drejtorët kryesorë të Union Bank.

Për të kryer vettingun e prokurorëve dhe gjyqtarëve shumë dokumente janë marrë nga bankat, tatimet, madje ironikisht të dhëna janë kërkuar edhe nga MCA dhe Final. Këto të dhëna dhe personat e përfshirë në përpunimin e tyre kanë qenë të lidhur dhe të implikuar me njëri-tjetrin në një prej aferave financiare më të rënda të ndodhura në Shqipëri, ajo e mikrokredive.

Rudina Sena është një “molё” që ka depërtuar në organet e vettingut, por kjo molё nuk dihet nëse ka ngrënë “koka” gjyqtarësh dhe prokurorësh, apo thjesht ka vegjetuar aty, për të mbrojtur aktivitetin kryesor, që bënte vëllai dhe bashkëpunëtorët e saj.

Kjo është një pikëpyetje që ngre pikëpyetje të tjera për rekrutimin e personave që kanë punuar në organet e vettingut, organe që kanë “sharruar” apo kanë promovuar karriera magjistratësh në sistemin e drejtësisë.