Detaje të reja kanë dalë në dritë mbi atentatin e mbrëmjes së së dielës (30 nëntor) në Elbasan, ku u ekzekutua me armë zjarri biznesmeni 43-vjeçar Mondi Mëhalla, alias Edmond Hyka.
Burime policore konfirmojnë për ‘News24’ se, përveç “Audi”-t të djegur të gjetur në Mirakë, policia ka identifikuar edhe një tjetër automjet të dyshuar si të përfshirë në ngjarje.
Ky automjet është lokalizuar në qytetin e Durrësit dhe është sekuestruar për ekspertizë të thelluar, pasi dyshohet se mund të jetë përdorur për arratisjen e autorëve të dyshuar.
Të dy automjetet po analizohen nga ekspertët e kriminalistikës për gjurmë biologjike dhe provë materiale që mund të çojnë në identifikimin e autorëve.
Biznesmeni Mëhalla, u ekzekutua sapo doli nga një zyrë në karburantin në pronësi të tij “Xhaxhi Oil” dhe hyri në makinën tip “Range Rover”, ku u qëllua 3 herë me plumba pistolete, 2 prej të cilëve e kapën në kokë, çka solli vdekjen e menjëhershme.
Sipas dinamikës së zbardhur nga hetuesit e Elbasanit, një prej autorëve ka dalë nga makina tip “Audi”, është afruar dhe ka qëlluar.
43-vjeçari me 2 emra, nuk ishte person i panjohur për policinë. Ai ishte me precedentë për narkotikë dhe armëmbajtje pa leje. Biznesmeni Mëhalla jetonte në Tiranë në zonën e Komuna e Parisit, ndërsa kishte shtrirë prej vitesh aktivitetet e tij të biznesit në Elbasan.