Një takim i organizuar pa praninë e mediave ka krijuar një tronditje në kupolën e PD-së. Organizator i takimit është shfaqur Ervin Salianji, anëtar i Kryesisë së PD-së, të cilit i është bashkuar edhe Ilir Alimehmeti, i dyti më i votuar në listën e hapur të kandidatëve demokratë në qarkun e Tiranës, si dhe 13 personazhe të tjerë, me ndikim lokal në strukturat e demokratëve. Sali Berisha e cilësoi takimin si një ‘kafe’ që nuk ia vlen të komentohet, ndërsa nuk harroi të thonte se vëmendja mediatike për këtë i shërben mbulimit të superskandaleve të Qeverisë. Pra me pak fjalë, Berisha tha se ata që po i japin zë një takimi të tillë, dhe në këtë rast nuk e ka për mediat, por për ata që flasin në media dhe ishin pjesë e atij takimi, po i shërbejnë Edi Ramës. Kaq mjafton për cilindo që e njeh mënyrën e funksionimit të PD-së, që të kuptojë se si duhen trajtuar ata.
“Normalisht takimet në kafe nuk meritojnë komente, por PD është partia më e hapur dhe demokratike e këtij vendi për çdo lloj mendimi, ideje dhe kaq mund të them. Procesi i analizës së brendshme ka nisur, janë bërë gjithë udhëzimet. Kjo nuk përbën asnjë lajm dhe risi, thjesht mediat e përdorin këtë për të mbuluar superskandalet e Ramës”, tha Berisha.
Një qëndrim pak a shumë të ngjashëm ka mbajtur edhe Gazment Bardhi, kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, që ishte ndër të parët nga kupola e partisë që u përpoq të sfumonte gjithçka.
Pavarësisht se tre nga protagonistët e këtij takimi, Salianji, Aulon Kalaja dhe Alimehmeti, dhanë argumentet e tyre, duket se udhëzimi që buron nga Berisha është se nuk i duhet kushtuar rëndësi. Dhe pas porosisë mjafton një vëzhgim në rrjetet sociale për të parë reagimet dhe për të kuptuar se një takim në kafe, konsiderohet si takim në skuta që nuk mund t’i shërbejë PD-së dhe riorganizimit të saj.
Në fakt qoftë Berisha, ashtu edhe Bardhi dhe çdokush tjetër në lidershipin e PD-së, veçanërisht ata që në 11 maj identifikohen si humbës dhe përgjegjës të rezultatit katastrofik zgjedhor, e dinë se një takim në kafe nuk rrezikojnë pozicionet e tyre në strukturat e partisë.
Së pari pozicionin e Sali Berishës nuk e synojnë as Salianji dhe as Alimehmeti dhe në kushtet aktuale edhe sikur ta kenë në mendje nuk do i hynin një gare me rival të drejtpërdrejtë kreun demokrat.
Gjithashtu pozicioni i Bardhit si Kryetar i Grupit Parlamentar nuk përcaktohet nga jashtë, por janë deputetët që e kanë vendosur me bekimin e Berishës. E njëjta gjë ndodh edhe me pozicionet e tjera në PD, përfshi edhe atë të Flamur Nokës si Sekretar i Përgjithshëm, pavarësisht gafave, arrogancës apo vendit që i tregon çdo anëtari në PD, të cilin mund ta pezullojë apo përjashtojë nëse nuk i pëlqen ajo që thotë. Kjo pohohet nga të paktën njëri prej tyre, doktori Ilir Alimehmeti, një emër që u zbulua si risi në rradhët e demokratëve në primaret e 2023-it për Bashkinë e Tiranës, dhe dy vite më vonë, rezultoi i dyti më i votuar në kryeqytet, si pjesë e listës së hapur, por pa mundur të marrë mandat deputeti.
Dhe nisur nga kjo lind pyetja: çfarë e shqetëson kupolën e PD-së?
Shqetësimi i parë është se ai takim apo mbledhje ka ndodhur pa dijeninë e lidershipit. Pra 15 persona janë mbledhur pa qenë në dijeni Berisha dhe të emëruarit e tij, duke diskutuar qoftë edhe formalisht ide që nuk po arrijnë t’i artikulojnë brenda strukturave. Shumica e atyre që ishin në takim, me përjashtim të Salianjit që është anëtar i Kryesisë, nuk janë thirrur në asnjë takim nga Berisha, Noka apo Bardhi.
Dhe ndoshta shqetësimi i dytë është se asnjë nga lidershipi nuk ka arritur të mësojë me pikë e me presje çfarë është thënë, kush ka folur për kë, dhe ç’mund të kenë në mendje ata që janë mbledhur, përtej asaj që pohojnë publikisht. Pra në gjuhën popullore kupolën nuk e lë rehat “krimbi”, edhe pse nga mbrëmja e së enjtes deri në pasdreken e së premtes, pjesëmarrës në atë takim janë munduar të sqarojnë arsyet dhe idetë që kanë.
Pjesa më e madhe e atyre që zgjodhën të mblidhen në një lokal dhe të qajnë hallet mund të jenë anëtarë të Këshillit Kombëtar, forumi më i lartë drejtues i PD-së, por që nuk mblidhet dhe është kthyer në një strukturë inekzistente, ndoshta edhe për faktin se shumë prej anëtarëve mund të shprehin revoltën e tyre për humbjen e 11 majit.
Ata vlerësuan për t’u takuar në një lokal, pa menduar se kjo do të komentohet si diçka që mund të besdisë kupolën, ta shqetësojë apo se një takim i tillë do të interpretohet si një “tentativë për të mbuluar skandalet e qeverisë”.
Për një moment imagjinoni se si mund të quhet dhe etiketohet kjo 15-she, nëse do të tentonin të zgjidhnin një takim në selinë e PD-së, në atë sallën që mblidhet Kryesia apo Grupi Parlamentar, pa vënë në dijeni Berishën dhe të emëruarit e tij në kupolë? /Pamfleti