Një takim i zhvilluar pasditen e së enjtes në një hotel në Tiranë mes Ervin Salianjit, Ilir Alimehmetit dhe disa prej figurave më të votuara të Partisë Demokratike, ka rikthyer në qendër të vëmendjes lëvizjet e brendshme në selinë blu.
Takimi, i cili nëpër media u tha se ishte një bashkëbisedim mes demokratësh, u zhvillua me dyer të mbyllura dhe pa deklarata nëpër media, gjë e cila nxiti menjëherë spekulimet se brenda Partisë Demokratike po “formohet” një grupim i ri i cili do të kërkojë një lëvizje të strukturave.
I pari që u “detyrua” të komentonte këtë takim mes demokratëve ka qenë Gazment Bardhi, i cili në studion e “Opinion” u shpreh se situata po kthehej në lajm pa asnjë arsye të fortë.
“Kolegët pinë kafe, është e drejta e tyre,” u shpreh Bardhi, duke nënvizuar se zhurma mediatike i dukej e panevojshme. Ai madje la të kuptohej se publikimi i takimit mund të ketë qenë i qëllimshëm: “Kolegët pinë kafe është e drejta e tyre, por bërja lajm në një moment të tillë, se lajmi duket që është si sponsorizuar.
Unë nuk e di kush e ka nxjerrë lajmi, nuk besoj se kolegët e kanë nxjerrë lajmin se kanë pirë kafe. Unë po them që qëllimi i kolegëve me sa bisedova me disa prej tyre janë takuar për kafe, 7-8 apo 9 veta”, shtoi ai, teksa më tej u përball me reagimet e Fevziut i cili tha se të pranishëm ishin 15 veta, ndërsa gazetari Mentor Kikia ngriti pikëpyetjet lidhur me qëllimin e kësaj “kafe” dhe prapaskenat që mund të qëndrojnë pas saj, pasi të pranishëm ishin persona të cilët kishin marrë mijëra vota në listat e hapura.
Ndërkohë që Bardhi u shpreh “Unë kështu e shoh, kështu dua ta shoh. Nëse do të ishte ndryshe, do të ishte një gabim i madh.”
Pas këtij reagimi të Bardhit ka ardhur dhe një koment nga Ervin Salianji i cili së bashku me Ilir Alimehmetin ishte organizatori i këtij takimi.
“Partia Demokratike ka nevojë për ripërtëritje dhe vlerësim të meritës. Fakti që takimi i individëve më të votuar sot bën lajm, tregon urinë e qytetarëve dhe demokratëve për vlerësim dhe analizë reale të problemeve që ka PD.
Unë dëgjoj çdo demokrat dhe jo më individë të cilët gjithsej kanë mbledhur 200 mijë vota”, tha ai, duke theksuar kështu se fakti që takimi i individëve më të votuar po kthehej në lajm tregonte “urinë e demokratëve për analizë dhe ndryshim real”.
Madje ai i përshëndeti me një foto nga një tjetër takim me demokratët në orët e vona të mbrëmjes së djeshme.
Edhe Ilir Alimehmeti, një prej figurave më të votuara të PD-së në Tiranë dha një qëndrim të qartë, duke konfirmuar se takimi kishte një dimension shumë më të thellë politik se sa një kafe e zakonshme.
Ai shpjegoi se në tryezë ishte përfaqësuar secili qark nga personi më i votuar dhe se diskutimet kishin të bënin drejtpërdrejt me situatën ku ndodhet opozita.
“Demokracia është të flasësh me njerëzit dhe me ata që të kanë votuar,” tha Alimehmeti, duke nënvizuar se nevojitej reagim i fortë përballë një qeverie “të kapur nga skandalet”.
“Ishim mes demokratësh në një bashkëbisedim dhe në çdo qark ishte njeriu më i votuar nga qarku përkatës. Njerëzit kanë folur, demokracia kjo është të shkosh të flasësh me njerëzit dhe në radhë të parë të flasësh me ata. Absolutisht po. Ky është edhe një qëndrim zyrtar, PD duhet të forcohet dhe të kuptojë ku ka gabime. Për t’u shmangur edhe nga modelet që nuk kanë funksionuar. Demokratët na thonë vetë, na keni lënë, nuk janë kontaktuar. Demokracia për këtë ka nevojë. Jemi zëri i tyre”, tha ia ndër të tjera.
Megjithëse askush nuk dha më tepër detaje mbi çfarë u diskutua saktësisht, “fshehtësia”e takimit, profili i pjesëmarrësve dhe reagimet kontradiktore që pasuan, kanë krijuar përshtypjen e një lëvizjeje që mund të jetë duke marrë formë brenda PD-së.
Në një parti që prej kohësh lëkundet mes krizave të brendshme dhe mungesës së strategjisë, një takim i tillë, sado të quhet “kafe”, është larg të qenit i zakonshëm. Mjafton që rreth tavolinës u ulën më të votuarit e saj që pyetjet për lëvizje të reja politike të mos shmangen dot më.