Bien aksidentet në tetor! INSTAT: 18% më pak të plagosur dhe të vdekur! Në tetor askush nuk është larguar nga vendngjarja

Kronike

Publikuar: 27/11/2025

Bien aksidentet në tetor! INSTAT: 18% më pak të plagosur dhe të vdekur! Në tetor askush nuk është larguar nga vendngjarja

Të dhënat zyrtare të përpunuara nga INSTAT tregojnë ulje të aksidenteve rrugore gjatë muajit tetor të këtij viti. Në total u shënuan 116 aksidente, nga 142 që u regjistruan në tetor 2024, duke reflektuar një rënie prej 18.3%.

Rënia e numrit të aksidenteve është e dukshme edhe në analizën 10 mujore janar-tetor, ku u regjistruar 1,144 aksidente, nga 1,370 që ishin në të njëjtën periudhë të vitit 2024, një ulje prej 16.5%.

Edhe numri i të vrarëve dhe të plagosurve reflekton të njëjtën tendencë. Personat e dëmtuar si pasojë e sjelljes së shoferëve ranë me 18% në tetor, nga 172 në 141. Të dhënat tregojnë se aksidentet e shkaktuara nga sjellja e shoferëve kanë pësuar një ulje të fortë gjatë vitit 2025.

Në tetor u regjistruan 94 aksidente me këtë shkak drejtuesin, nga 128 që ishin në tetor e vitit të shkuar, me 26.6% më pak. Ndryshe paraqitet situata për aksidentet e shkaktuara nga sjellja e këmbësorëve, duke shënuar rritje nga 14 aksidente në tetor 2024 në 22 në tetor 2025.

Të dhënat tregojnë një ulje të dukshme të aksidenteve rrugore në të gjitha grupmoshat e shoferëve gjatë vitit 2025, me rënien më të fortë te të rinjtë nën 24 vjeç. Në tetor 2025, aksidentet e shkaktuara nga drejtues deri në 24 vjeç ranë me 34.4%, duke zbritur nga 32 raste në tetor 2024, në 21.

Edhe grupmoshat e tjera shënuan rënie. Tek 25–34-vjeçarët me 9.1%, tek 35–44 vjeç me 22.2%, ndërsa po ashtu ulje edhe moshat më madhore. E njëjta prirje është vënë re edhe në analizën 10 mujore.

Një nga treguesit më të rëndësishëm lidhet me drejtuesit që largohen nga vendi i aksidentit. Në tetor e këtij viti, ky numër zbriti në zero, nga 3 raste që u regjistruan një vit më parë. Ndërkohë, në 10 muaj shifrat flasin sërish për ulje të largimeve, nga 35 që ishin në janar-tetor 2024 në 16 gjatë këtij viti.

/shqiptarja.com