Deputetja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho foli për ‘Foltoren’ e opozitës përpara Kryeministrisë, teksa tha se do të mblidhen sërish të hënën, megjithëse javën e kaluar, opozita mezi arriti të mbledhë një grusht qytetarësh.
Sipas Xhixhës, mungesa e hapësirave në Kuvend, ka detyruar opozitën të dalë në shesh, duke shtuar se protestat do të përshkallëzohen.
“Hapësirat në kuvend nuk ekzistojnë, kemi kërkuar 3 komisione hetimore dhe nuk lejohen. Kemi kërkuar interpelanca, nuk pranohen. Në këtë situatë opozita ka ngritur një foltore ku qytetarët dhe deputetët të shprehin mesazhet e tyre dhe qytetare.
Atje do flasim për koston e jetesës. Për sigurinë në shkolla. Është për çdo gjë. Është foltore, nuk është protestë kombëtare. Kjo do të jetë përmanente çdo të hënë dhe do të denoncohet korrupsioni dhe do të kërkohet largimi i Ramës. Kjo i ka bërë mirë demokracisë. Kjo nuk është çështje e opozitës, është e gjithë shoqërisë”, tha Xhixho në Terminal me Aurora Sulçen.