Bëmat e fundit të Gjyles së ARRSH para arrestimit, dhjetëra milionë euro për Artan Sakon, Betën, Ardit Metaliajn dhe Shkëlqim Elmazaj me pazar në tavolinë

Investigim

Publikuar: 22/11/2025

Bëmat e fundit të Gjyles së ARRSH para arrestimit, dhjetëra milionë euro për Artan Sakon, Betën, Ardit Metaliajn dhe Shkëlqim Elmazaj me pazar në tavolinë

Ashtu si paraardhësit e tij, edhe kreu i Autoritetit Rrugor Shqiptar Gentian Gjyli u arrestua me kërkesë të SPAK-ut në kuadër të dosjes penale për Tunelin e Llogarasë dhe për një segment të Unazës së Madhe të Tiranës. Edhe pse ishte marrë më parë i pandehur për një çështje tjetër (skemën e Evis Berberit), ‘Gjylja e ARRSH-së’ nuk hoqi dorë deri ditët e fundit nga tenderat e dyshimtë dhe klientelistë.

Në shtator të këtij viti, teksa SPAK e kishte objekt hetimi, Gentian Gjyli i ka dhënë kompanisë 4 A-M shpk të Ardit Metaliajt tenderin me vlerë 27 milionë euro për ndërtimin e rrugës Kashar – Nyja Vaqarr Faza I. Tenderi është shënjuar me flamur të kuq pasi janë skualifikuar të gjithë operatorët e tjerë përveç fituesit.

4 A-M shpk, e skeduar për falsifikim dokumentesh, mashtrim me zbatimin e kontratave publike dhe e përjashtuar për një periudhë kohore nga pjesëmarrja në tendera, dyshohet se është një kompani derivate e Bashkim Ulajt, përfitues i mbi 2 miliardë euro para dhe pasuri publike. Ulaj ka ‘bitisur’ edhe rrugën Thumanë-Kashar, e cila po hetohet nga SPAK si një aferë e dyshuar korruptive. Segmenti u kthye në rrezik për drejtuesit e automjeteve sapo u inagurua për shkak të cilësisë së dobët të punimeve dhe përvetësimit të dyshuar të parave.

Në 23 shtator 2025, Gentian Gjyli i ARRSH-së ka firmosur tenderin me vlerë 20 milionë euro për zgjerimin e superstradës Tiranë – Durrës Faza III, me fituese të dyshuar si të paracaktuar kompaninë ALB-BUILDING SHPK, me pronarë Odhise Bresha dhe Pëllumb Beta, përfitues i dhjetëra milionë euro para publike me tendera të dyshimtë. Tenderi është shënjuar gjithashtu me flamur të kuq pasi janë skualifikuar të gjithë operatorët e tjerë përveç fituesit.

Në gusht të këtij vitit, Gjylja e ARRSH ka diktuar me pazar në tavolinë kompaninë ELMAZAJ KONSTRUKSION shpk si fituese e tenderit me vlerë 27 milionë euro për ndërtimin e rrugës Kashar – Nyja Vaqarr Faza II.

Ka disa indicie se pse SPAK duhet t’a administrojë dosjen e këtij tenderi. Oferta fituese e kompanisë së Shkëlqim Elmazaj, në bashkëpunim me kompaninë italiane INC SPA – %, është sa fondi limit. Janë përjashtuar oferta më të ulëta për shkaqe të sajuara, në funksion të diktimit të fituesit. Ndërkaq, ka sinjalizime që po abuzohet me zbatimin e kontratës.

Qoka e fundit për Sakon

Në verën e këtij viti, pas një zvarritje prej 15 vitesh dhe një vlere prej 400 milionë dollarësh, më në fund u inagurua rruga Qukës – Qafë Plloçë. Disa firma u shpërblyen për “punë të mirë”, madje morën disa herë shtesa kontratash apo fituan tenderat e rrugëve lidhëse.

“Dorën” e fundit e dha kompania 2T, me lidhje të forta me qeverinë. Një nga dy pronarët e firmës është Artan Sako, vëllai i kryetarit të zgjedhur së fundmi të Bashkisë së Tepelenës, Gramoz Sako. Më parë, Gramozi ka qenë edhe Komandant i Gardës së Republikës dhe njihet si një nga mbështetësit e mazhorancës.

Krahas ngritjes në detyrë të ushtarakut, firma 2T e vëllait të tij ka gllabëruar miliona euro fonde publike, për punë kryesisht në jug të vendit. I tillë është edhe tenderi i radhës që ka marrë, atë të mirëmbajtjes së rrugës Qukës – Qafë Plloçë. VoxNews shfletoi dokumente të reja dhe të vjetra, madje edhe postime të institucioneve shtetërore, të cilat vetëm sa përforcojnë idenë se tenderi ka qenë i paracaktuar për të shkuar te firma 2T.

Por, le t’i marrim me radhë!

NDERI i fundit i Gjylit para ARRESTIT shkoi për Sakot, tenderi i

Në foto: Njoftimi zyrtar i Bashkisë së Pogradecit në muajin gusht 2025 për rrugën Qukës–Qafë Plloçë

Lexoni me vëmendje njoftimin e Bashkisë së Pogradecit, i dhënë në datën 20 gusht 2025. “Loti i fundit i rrugës ‘Qukës – Qafë Plloçë’ prej 9.3 km është gati në përfundim. Inxhinerët e kompanisë 2T bëjnë me dije se këtë të shtunë asfaltohen 400 metrat e fundit të mbetura. Momentalisht rruga është e aksesueshme për të gjitha llojet e mjeteve, ndërsa me përfundimin më pas të gjithë sinjalistikës vertikale dhe horizontale do të bëhet njoftimi zyrtar për hapjen e të gjithë aksit (43 km) për automjetet” shkruante Bashkia e Pogradecit.

Pavarësisht se s’kishte ndonjë njoftim për fituesin e lotit 3, punimet e së cilit zgjatën pafundësisht dhe u lanë në mes, “dora” e fundit u dha nga firma 2T, e familjes Sako. Vlera totale e ndërtimit shkoi në rreth 400 milionë euro, teksa aktualisht rruga është e hapur dhe në lotin e tretë vijojnë të kryhen punime.

NDERI i fundit i Gjylit para ARRESTIT shkoi për Sakot, tenderi i

NDERI i fundit i Gjylit para ARRESTIT shkoi për Sakot, tenderi i

Faksimile: Njoftimi i fituesit të tenderit të mirëmbajtjes së rrugës Qukës – Qafë Plloçë u fitua nga 2T, megjithëse s’kishte ofertën më të ulët

Në datën 19 nëntor 2025, një ditë para se Drejtori i Përgjithshëm i Rrugëve Gentian Gjyli të njihej me masën e sigurisë “arrest shtëpie” për abuzime me detyrën, ai ka bërë edhe nderin e fundit. Tenderi i mirëmbajtjes së rrugës së florinjtë iu dha 2T-së, pavarësisht se s’kishte ofertën më të ulët.

Fondi limit ishte 31.8 milionë lekë, ose rreth 320 mijë euro. Firma “Rej” e familjes Kapri ka ofruan 24 milionë lekë. Firma fituese e Sakove kanë ofruar 29 milionë lekë. Dukshëm shumë herë më tepër sesa Kaprit.

Në tender kanë marrë pjesë edhe firma të tjera, sërish me oferta më të ulëta sesa Sakot. Alb-Building ka ofruar 26 milionë lekë, Deltarex 23 milionë, RSM ka ofruar madje 21 milionë lekë.

Pra, ka fituar oferta me vlerën më të lartë! A nuk ishte i paracaktuar ky tender?! Firma 2T vijon të punojë në lotin e tretë, u zgjodh me procedurë të dyshimtë për të vijuar punimet, e tashmë fiton edhe tenderin e mirëmbajtjes. Diçka vjen erë në këtë tender, pasi Gjyli ka skualifikuar të gjitha procedurat vetëm e vetëm që t’i jepte tenderin Sakove. Një dosje tjetër e SPAK-ut?!

NDERI i fundit i Gjylit para ARRESTIT shkoi për Sakot, tenderi i

Faksimile: Firma 2T do të mbështetet në këtë tender nga “fantazma” e saj APIS

Por, krahas paracaktimit të fituesit, duket se Sakot kanë bërë edhe një autogol në dokumente. Ata shkruajnë se për të mirëmbajtur rrugën e re, që ende s’e kanë përfunduar, do të mbështeten nga kompania APIS.

Në fakt, pas pronarëve të firmës në fjalë, janë vetë Sakot, duke hedhur hije të tjera dyshimi se tashmë ata janë bërë të preferuarit e mazhorancës në punët publike. Por, pas masës ndaj ministres Balluku apo pas arrestit shtëpiak të Gjylit, a do të vijojnë të marrin tendera?!