Seanca e radhës në gjyqin ndaj Plaurent Dervishajt dhe Julian Meçajt, të akuzuar për atentatin ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoja, u shoqërua me tensione dhe debate.
Në fillim të seancës, avokatët e Dervishajt kërkuan që media të mos ishte e pranishme, por kërkesa u rrëzua nga gjykata. Menjëherë pas kësaj, situata u përshkallëzua me reagimin e Dervishajt, i cili braktisi sallën dhe u largua, ashtu si edhe avokatët e tij mbrojtës.
“Nuk keni forcë të përballeni me të drejtat e mia, duke parë që gazetarët dizinformojnë deklarimet e dëshmitarëve. Nuk e kam për të gjithë, por për emra të veçantë. Çfarë kërkojmë ne këtu? Unë heq dorë nga avokatët Ilia Ilia dhe Gerta Gorjani. Bëni gjyqin vetë, prokurorin ja ku e jeni. Nuk paraqitem më në gjyq”, tha Dervishaj.
Prokurori i çështjes, Adnan Xholi, theksoi se largimi i avokatëve është i papranueshëm dhe kërkoi ndërhyrjen e Gjykatës.
“E drejta e pandehurit të marrë ose jo pjesë në gjykim. Pavarësisht kërkesës së të pandehurit, nuk do duhej që avokatët të largoheshin nga salla, megjithatë do merren masa nga gjykata. Kërkoj të zëvendëson me avokatë kryesisht, në rast të kundërt të shtyhet seanca duke pezulluar dhe afatet e paraburgimit për të dy dhe të njoftohet Dhoma Kombëtare e Avokatisë për braktisjen e seancës nga avokatët”, tha ai.
Seanca e radhës u shty për më datë 5 dhjetor, ndërsa Dervishaj do të përfaqësohet nga avokat kryesisht.
Plaurent Dervishaj dhe Julian Meçaj u ekstraduan nga Dubai në gusht të vitit 2024. Dervishaj akuzohet si organizatori i atentatit ndaj ish-prokurorit në nëntor 2019 ndërsa Meçaj si një nga autorët që qëlloi në drejtim të tij. SPAK e zbardhi atentatin ndaj ish-prokurorit Ndoja pas mbërritjes nga Franca të komunikimeve në “SkyECC”.