Tre persona janë arrestuar dhe një tjetër është shpallur në kërkim pas finalizimit të operacionit policor të koduar “Neonët 3”, i zhvilluar në Shkodër për goditjen e kultivimit të bimëve narkotike në ambiente të mbyllura me llamba.
Nga operacioni, i cili ka përfshirë kontrolle intensive të kryera nga DVP Shkodër, Komisariati i Policisë Shkodër dhe Forcat Operacionale “Shqiponja”, u arrestuan në flagrancë: Përparim Ndrevataj, 27 vjeç, Sebastian Gjoka, 24 vjeç dhe Artan Bilali, 58 vjeç. U shpall në kërkim K. P., 33 vjeç.
Gjithashtu, u ndaluan Genc Aliaj, 63 vjeç dhe Blendi Cufaj, 33 vjeç, dhe u proceduan penalisht edhe pesë punonjës të OSHEE-së për shpërdorim detyre.
Në magazinën në lagjen “Mark Lula”, e përshtatur për kultivimin dhe tharjen e kanabisit, u gjetën dhe u sekuestruan 119 bimë të dyshuara kanabis, 2 kilogramë e 170 gramë kanabis i tharë, 284 pajisje elektrike që shërbenin për kultivimin me llamba, si dhe 7 celularë.
Nga kontrolli në banesën e një prej personave të shpallur në kërkim, u sekuestruan: 1 armë zjarri pistoletë, municion luftarak, dokumente italiane, një palë targa angleze të dyshuara si të falsifikuara, 3 byzylykë, 1 unazë, 1 orë Rolex, 1 DVR, 1 fenelinë si ato të policisë, 1 këllëf arme, rripa për mbajtjen e armës, si dhe një shumë parash në paund.
Puna për kapjen e shtetasit në kërkim dhe për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale vijon.
Materialet procedurale i janë dorëzuar Prokurorisë së Shkodrës për veprime të mëtejshme.