Në takimin me qytetarët e Njësisë numër 3 në Tiranë, ku zhvilloi një dëgjesë për projektbuxhetin 2026, kryeministrri Edi Rama ironizoi opozitën. Një banor e pyeti mbi bonusin e fundvitit, duke i thënë se ‘tellalli’ Berisha thotë që s’do kenë rritje pensionesh.
Me ironi Rama i tha se përmendi një emër, të cilin ai prej vitesh nuk e përmend më, por merret me të vetëm gjatë fushatës. Rama tha se opozita është një kënetë e madhe, ku Berisha është bufi i madh.
“Përmende dikë që unë s’ia përmend emrin prej vitesh. Merrem me të vetëm në fushatë, se ndryshe as nuk e llogaris. Është një e keqe e madhe që nuk i është ndarë këtij vendi. Është një frymë, një kënetë e madhe ku ai është thjesht vetëm bufi i madh, po aty çfarë nuk ka.
E mira është që e asaj që ne themi, njerëzit e kanë shumë të thjeshtë ta vërtetojnë. Kur ne themi do jepet bonusi, njerëzit e kanë shumë të thjeshtë ta vërtetojnë do jepet apo s’do jepet. Vjet thamë do jepet bonusi dhe bonusi u dha.
Të njëjtin bonus do e merrni edhe në dhjetor. Tani që po e them është një fjalë, dhjetori vjen për pak javë, do e vërtetoni vetë. Më pas duhet ta vendosni vetë kë doni të dëgjoni e kë jo”, u shpreh Rama.