Zbardhet dinamika e plotë e atentatit në Rinas: Si autorët i zunë pritë Gilmando Danit

Kronike

Publikuar: 11/11/2025

Zbardhet dinamika e plotë e atentatit në Rinas: Si autorët i zunë pritë Gilmando Danit

Gilmando Dani mbeti i vrarë këtë të martë në një atentat mafioz.

Ngjarja ndodhi rreth orës 14:20, te rrethrrotullimi i aeroportit të Rinasit.

Dani, 47 vjeç, ishte pasagjer në një makinë të bardhë.

Shoferi i makinës, i identifikuar si 40-vjeçari Muçi Shaljani alias Sheqeri, mbeti i plagosur rëndë.

Dinamika

Dani dhe Shaljani kishin ikur në Barcelonë më datë 7 nëntor dhe mbërritën sot në Rinas, 11 nëntor, në orën 13:55. Kanë marrë mjetin që e kishin parkuar në parkimin e Rinasit dhe janë nisur drejt destinacionit të tyre. Atentati ka ndodhur 25 minuta më pas, rreth orës 14:20 në rrethrrotullimin e Rinasit, pak metra larg aeroportit, një zonë ku ka një trafik të dendur dhe qarkullimi i mjeteve është shumë i ngadaltë. Një rrethanë që duket se ka ndihmuar vrasësit, për të shënjestruar objektivin e tyre.

Autorët kanë qenë me një mjet Toyota me targa greke dhe e kanë pritur para aeroportit. Në momentin që Dani dhe miku i tij janë larguar nga Rinasi, autorët i kanë ndjekur dhe dy makinat kanë ecur paralel me njëra-tjetrën. Kur janë afruar pranë rrethit të Rinasit, autorët kanë qëlluar me breshëri plumbash në anën e pasagjerit ku ndodhej Dani.

Autorët e donin danin të vdekur me çdo kusht dhe u siguruan që të vdiste. Pasi qëlluan drejt makinës, një nga autorët, me kapele dhe i maskuar, del nga makina dhe i afrohet Benzit duke qëlluar disa herë me pistoletë. 

Vetëm pak minuta pas ngjarjes, autorët janë larguar me shpejtësi drejt Fushë-Krujës. Ata kanë ndaluar në fshatin Halil, ku kanë djegur automjetin që përdorën në atentat, në një zonë të pyllëzuar, pranë përroit të Halilit. Distanca mes Rinasit dhe Halilit është vetëm 14 kilometra, çka tregon se atentatorët kanë vepruar me saktësi dhe plan të qartë arratisje. Brenda mjetit të djegur janë gjetur 3 kallashnikovë dhe 1 pistoletë që dyshohet se janë përdorur në atentat. Mjeti i djegur është gjetur në të njëjtin vend nga ku është qëlluar në drejtim të hotelit të Edmond Vogës.

Pamjet tregojnë se mjeti është bërë shoshë nga plumbat, të cilat kanë depërtuar deri tek xhamat e hotelit aty pranë. Efektivët e policisë arritën me vështirësi të thyenin xhamin e makinës nga ana e shoferit, duke përdorur sende të forta, për të hapur më pas derën.

Në pamje dallohet se shoferi Shaljani nuk lëviz, por është duke marrë frymë me vështirësi. Ndërsa viktima dallohet me trupin e anuar në brendësi të makinës, nga ana e shoferit, me kokën poshtë. Makina me të cilën po lëviznin Dani dhe agjenti i AMP-së rezulton në pronësi të Elvis Kosovës, i njohur edhe si Visi i Garave, një person i njohur për blutë, të cilit më 24 korrik i vendosën tritol në garazh.

Forca të shumta të policisë rrethuan Fushë-Krujën me shpresën e gjurmëve të vrasësve, ndërsa në Tiranë hetimi kryesor lidhet me të shkuarën e viktimave. Dyshimi i parë lidhet për një përplasje mes eksponentëve të krimit të organizuar, i cili për atentate zgjedh edhe aeroportin e sigurisë së lartë, ironikisht vetëm disa orë pasi në Kuvend ministrja e Brendshme tha se Shqipëria është një vend i sigurtë.