Gilmando Dani, krahu i djathtë i Emiljano Shullazit është ekzekutuar në një atentat mafioz pasditen e sotme pranë Aeroportit Ndërkombëtar “Nënë Tereza” në Rinas.

(Gilmando Dani)
Viktima, 47 vjeç, ka qenë duke lëvizur në një makinë të bardhë, kur autorët me një tjetër makinë i zunë pritë dhe i qëlluan me breshëri plumbash.
Disa kalimtarë të rastit, por edhe policë kanë shkuar në ndihmë për të hapur mjetin. Dani është një emër i njohur për autoritetet, pasi njihet si një ndër anëtarët e grupit të Emiljano Shullazit.
Dani ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes, ndërsa personi tjetër, Muçi Shaljani, alias Sheqeri, i cili udhëtonte më të mësohet se është në gjendje të rëndë shëndetësore.

Dani dhe Shaljani po ktheheshin nga Barcelona.
Autorët i kanë vëzhguar, i kanë ndjekur dhe kanë qëlluar me mirëmendim nga ana e pasagjerit, aty ku ndodhej edhe shënjestra, Dani. Viktima Dani kishte mbetur i bllokuar dhe u desh që policia të ndërhynte duke thyer xhamin. Makina ishte në pronësi të Elvis Kosovës.
Dani u ka shpëtuar më parë edhe dy atentateve, në vitet 2011 dhe 2015. Ai ka qenë i dënuar edhe për gjobvënie dhe u lirua pasi kreu 3/4 e dënimit. Autorët dyshohet se janë larguar në drejtim të Fushë Krujës dhe kanë qenë me një mjet Toyota, me targa greke. Forcat e ndërhyrjes së shpejtë dhe ato RENEA kanë shkuar në drejtim të Fushë Krujës ku dyshohet ku mund të jenë larguar autorët.
Kjo ngjarje e rëndë ka ndodhur vetëm 100 metra larg aeroportit të Rinasit, në një zonë me trafik të lartë dhe shumë të populluar.
Digjet një makinë në zonën e Krujës
Një automjet është djegur në fshatin Halil të Krujës, i cili dyshohet të jetë përdorur nga autorët në atentatin e Rinasit ku mbeti i vrarë Gilmando Dani, ndërsa një tjetër është plagosur dhe ndodhet në gjendje të rëndë.
Mësohet se persona ende të paidentifikuar kanë qëlluar me armë zjarri nga një makinë Toyota me targa greke ndaj një automjeti tjetër, ku mbeti i vrarë Gilmando Dani, person me precedentë penal dhe krahu i djathtë i Emiljano Shullazit. Pas të shtënave makina është larguar me shpejtësi në drejtim të Fushë Krujës.
Kush ishte Gilmando Dani që u vra në atentatin e Rinasit
Dani ka qenë një nga emrat më të përfolur të botës së krimit, që vepronte për llogari të Emiliano Shullazit.
Gilmando Dani la qelinë e burgut rreth një vit e gjysmë më parë, pasi shleu të gjithë dënimin në lidhje me pjesëmarrjen në këtë grup të strukturuar kriminal.
Dani është akuzuar shpesh për vepra penale, konkretisht në gusht të 2009 pas vrasjes së 4 efektivëvë të policisë në Durrës nga Dritan Dajti.
Pas ngjarjes, kontrolli në banesën e Gilmando Danit u bë nën dyshimet se ai mund të kishte qenë në Durrës atë ditë, por më pas policia sqaroi se Dani ka qenë në Tiranë, edhe pse nuk ishte gjetur në banesë në momentin e kontrollit.
Ndërsa, në gusht 2009, në kuadër të hetimit për masakrën në Durrës, Prokuroria e Krimeve të Rënda i bllokoi pasaportën për disa ditë Gilmando Danit.
Ndërkohë, më 23 prill 2011, gjatë fushatës elektorale, Gilmando Dani u shoqërua në Policinë e Tiranës pasi ndodhej në vendin e ngjarjes ku Emiljano Shullazi pengoi një miting të Partisë Socialiste në Njësinë Bashkiake Nr. 7 në kryeqytet.
Në atë kohë, deputetja e PS-së, Vasilika Hysi, kërkoi ndërhyrjen e policisë, e cila ndaloi Shullazin dhe shoqëroi Gilmando Danin. Megjithatë, precedenti i parë zyrtar i Gilmando Danit daton më 11 shkurt 2006, kur ai ra në prangat e policisë pasi ishte shpallur në kërkim për shkak të dënimit në mungesë të dhënë ndaj tij me një vit burg për akuzat “mbajtje pa leje të armëve luftarake” dhe “kanosje në bashkëpunim”.
Më pas, arrestimi ndodhi nga forcat speciale të policisë, RENEA, të cilat, bashkë me Gilmando Danin vunë në pranga edhe shtetasit Emiljano Shullazi dhe D. Hate.
Gjatë këtij aksioni, policia sekuestroi një sasi të konsiderueshme armësh dhe municionesh, përfshi pistoleta automatike tip “Skorpions” me silenciator, dy automatikë prodhim kroat e kallashnikov, radio komunikimi me distancë të afërt, radio përgjuese të valëve të strukturave të Policisë (në Tiranë dhe rrethe), fenelinë policie, dylbi speciale për shikim natën, dylbi të zakonshme si dhe maska, doreza dhe pajisje të tjera kamuflazhi.
Gjithashtu ndaj Danit është bërë atentat dhe dy herë më parë, por mbeti i plagosur. Ngjarjet ndodhën në vitet 2011 dhe në 2015.
Gilmando Dani u dënua me 12 vite burg në nëntor të vitit 2018 si pjesë e grupit të Shullazit për akuzat e gjobëvënies dhe krijim të grupit të strukturuar kriminal dhe më pas u lirua në vitin 2023 pasi kreu 3/4 e dënimit.