Digjet një makinë në Fushë-Krujë, dyshohet se është e autorëve të atentatit në Rinas

Kronike

Publikuar: 11/11/2025

Digjet një makinë në Fushë-Krujë, dyshohet se është e autorëve të atentatit në Rinas

Pas atentatit me armë zjarri të ndodhur pasditen e kësaj të marte në afërsi të aeroportit të Rinasit, është gjetur një automjet i djegur në fshatin Halil të Fushë-Krujës.

Sipas burimeve nga vendngjarja, mjeti është përfshirë plotësisht nga flakët dhe dyshohet se mund të jetë përdorur nga autorët e atentatit të ndodhur në rrethrrotullimin që të çon drejt terminalit të pasagjerëve në Rinas.

Nga informacionet paraprake, është qëlluar me armë zjarri në drejtim të një “Benz”-i luksoz me targa AB 099 UO, ku mbeti i vrarë Gilmando Dani, krahu i djathtë i Emiljano Shullazit dhe mbeti i plagosur Muçi Shaljani (Sheqeri).

Pas atentatit, autorët janë larguar në drejtim të Fushë-Krujës, ndërsa pak minuta më vonë është raportuar për makinën që po digjej në fshatin Halil.

Forcat e policisë kanë rrethuar zonën dhe po kryejnë hetime në vendin ku u gjet mjeti i djegur, me qëllim identifikimin e pronësisë së tij dhe mbledhjen e provave që mund të çojnë në zbardhjen e ngjarjes.