Në buxhetin e vitit 2026 nuk ka fonde për trajtimin publik të ishemisë cerebrale. Qeveria, ministrja Evis Sala dhe drejtori i FSDKSH Arti Papajani vazhdojnë marrëveshjen që detyron pacientët të paguajnë 25 mijë euro për një operacion jetë-shpëtues në Spitalin Amerikan.
Edhe pse Rama shpalli rritje të buxhetit shëndetësor me 1 miliardë euro, shërbimi i trombozës mbetet jashtë sistemit publik. QSU “Nënë Tereza” dhe spitalet rajonale kanë mjekët dhe pajisjet, por Ministria e Shëndetësisë ka ndaluar blerjen e kateterëve që ndihmojnë në ndërhyrjen e menjëhershme. Monopoli që filloi me Ilir Beqjen vazhdon të garantojë miliona euro fitime për Klodian Allajbeun.
Në prezantimin e projekt-buxhetit për vitin 2026, Edi Rama deklaroi se shëndetësia do të ketë “1 miliardë euro financime” dhe se “15 milionë euro shtesë do të shkojnë për pacientët e Onkologjikut dhe barnat e reja”.
Por mes rritjes së shifrave mungon sërish paketa për trajtimin e ishemisë cerebrale (trombozës), një nga shërbimet më jetike që shpëton qindra jetë në vit.
Edhe këtë herë, qeveria ka lënë jashtë skemës publike të rimbursimit operacionet dhe trajtimet e trombozës, duke e ruajtur monopolin e plotë të këtij shërbimi në Spitalin Amerikan, pronë e oligarkut të shëndetësisë Klodian Allajbeu.
Burime nga Ministria e Shëndetësisë konfirmojnë se ministrja Evis Sala dhe drejtori i FSDKSH, Arti Papajani, kanë ndjekur të njëjtën linjë politike që nis nga koha e Ilir Beqjas:
-të mos alokojnë fonde për rikthimin e trombozës në spitalet publike, duke ruajtur kontratën e heshtur me Spitalin Amerikan.
Me këtë skemë, çdo pacient që pëson goditje në tru detyrohet të shkojë në spitalin privat, ku trajtim i menjëhershëm kushton 20-25 mijë euro, të cilat duhet paguar brenda 6 orëve nga momenti i paraqitjes.
Në vend që të financojë blerjen e kateterëve, tubat që përdoren në operacionet endovaskulare për heqjen e trombit, ministria e Shëndetësisë ka ndaluar procedurat e prokurimit, duke e bërë praktikisht të pamundur aktivizimin e shërbimit në QSU “Nënë Tereza” dhe spitalet rajonale.
Të gjitha pajisjet ekzistojnë, mjekët janë të trajnuar, por pa kateterët, sistemi publik është mbajtur qëllimisht jashtë loje.
Sipas të dhënave që “Pamfleti” publikoi më 21 nëntor 2023, spitalet e Tiranës, Durrësit, Shkodrës, Elbasanit, Gjirokastrës dhe Korçës kanë të gjitha kapacitetet për të kryer ndërhyrje të trombozës, por një urdhër i brendshëm i ministrisë i ka stakuar pajisjet që prej vitit 2015.
Në atë vit, Ilir Beqja hoqi zyrtarisht shërbimin nga spitalet publike dhe ia kaloi Spitalit Amerikan me marrëveshje të përvitshme, që më vonë u firmosën dhe u rinovuan nga Ogerta Manastirliu, Albana Koçiu dhe tani Evis Sala.
Në vend të investimit në spitalet publike, buxheti i vitit 2026 parashikon fonde shtesë për kontrata koncesionare dhe për blerje barnash nga depot private, ndërkohë që pacientët me trombozë vazhdojnë të mbeten peng i monopolit të Allajbeut.
Burime mjekësore llogarisin se Spitali Amerikan realizon rreth 400-500 ndërhyrje në vit, me fitim neto mbi 10 milionë euro vetëm nga ky shërbim.
Në thelb, kjo është vazhdimësia e korrupsionit strukturor që e ka kthyer shëndetësinë publike në furnitor të interesave private.
Në vend që të rikthejë një shërbim jetik në sistemin shtetëror, Rama e përdor buxhetin si mjet për të shpërblyer miqtë e tij oligarkë dhe për të ruajtur monopolin financiar të sektorit privat në shëndetësi.
Nëse për Onkologjikun shtohen miliona euro për barna, për trombozën shteti nuk ka as një qindarkë.
Nëse për propagandë Rama flet për “shërbime falas”, në realitet pacientët që nuk kanë 25 mijë euro, mbeten pa trajtim dhe humbasin jetën.
Ky është bilanci i vërtetë i një qeverie që shpall reforma për “shëndetësi falas”, ndërsa i dorëzon çdo vit miliona euro oligarkut të saj të preferuar, Klodian Allajbeut./Pamfleti