Kuvendi i Shqipërisë zhvillon sot, më 6 nëntor, seancën plenare që nis në orën 10:00.
Në rendin e ditës janë çështje me rëndësi për vijimin e sesionit parlamentar, ndërsa vëmendja do të përqendrohet te diskutimet mbi projektbuxhetin e vitit 2026, i cili është miratuar nga ana e qeverisë.
Projektligji më i rëndësishëm ekonomik, buxheti i shtetit është depozituar në Kuvend.886 miliardë lekë ose 8.8 miliardë do të jenë në dispozicion të institucioneve për tu shpenzuar për shërbime shëndetësore, për paga, për skemat e mbështetjes të familjeve në nevojë, pensione, arsim, punësim, bujqësinë, transportin rrugor, drejtësinë e deri tek shpenzimet për sigurinë, në kuadër të detyrimeve ndaj NATO-s. Në raport me buxhetin e këtij viti të rishikuar me aktin e fundit normativ, rritja e shpenzimeve është me 500 milionë euro.
Në orën 13:00, do të mblidhet edhe Komisioni për Ekonominë, Punësimin dhe Financat.
Ky komision do të shqyrtojë dhe miratojë Draft-Kalendarin e veçantë të punimeve për diskutimin e projektligjit “Për buxhetin e vitit 2026”, duke shënuar nisjen zyrtare të procesit të detajuar parlamentar për analizën e tij.
Priten edhe raportimet e disa prej institucioneve mbi veprimtarinë në 2024-ën dhe zgjedhja e anëtarëve të Komisionit Rregullator në KQZ, që nuk u finalizuan në seancën e javës së shkuar, pasi opozita la sallën.
Pas një sërë polemikash, pritet të votohet edhe Projektligji për Barazinë Gjinore.
Seanca pritet të shoqërohet me debate mes mazhorancës dhe opozitës, sidomos për projektbuxhetin e vitit të ardhshëm, lidhur me shpërndarjen e fondeve për sektorët kryesorë.
Po ashtu, në rend dite është parashikuar edhe akti normativ për disa ndryshime dhe shtesa në buxhetin e vitit 2025, si dhe akti normativ për “Planifikimin dhe zhvillimin e territorit”.
Sa i përket institucioneve që do të raportojnë do të jenë Kontrolli i Lartë i Shtetit, Departamenti i Administratës Publike, Komisioni i Prokurimit Publik, Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit.
Megjithatë, në Kuvend mund të ketë edhe diskutime lidhur me marrjen si të pandehur nga SPAK të zëvendës kryeministres Belinda Balluku për shkelje të barazisë në tenderin për ndërtimin e tunelit të Llogarasë, akuzë që iu komunikua të premten që kaloi.