Takimi për Kodin e ri Penal, Sadushi: Hartimi pa transparencë e gjithëpërfshirje! Rrezikon që ta bëjë më të vështirë sistemin penal 

Kronike

Publikuar: 05/11/2025

Takimi për Kodin e ri Penal, Sadushi: Hartimi pa transparencë e gjithëpërfshirje! Rrezikon që ta bëjë më të vështirë sistemin penal 

Kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushithotë se Kodi i ri Penal rrezikon që ta bëjë më të vështirë sistemin penal, në vend që ta lehtësojë atë. Teksa po merr pjesë në takimin konsultues për këtë draft, Sadushi deklaroi se konsultimi institucional për hartimin e Kodit ka qenë i kufizuar dhe i pjesshëm. Për pasojë, thekson ai, projekti mbetet shumë i paqartë në disa pjesë dhe në pabaraspeshuar në filozofi.

“Ndryshe nga praktikat më të mira, procesi aktual i hartimit të projektit nuk duket se është mbështetur mbi një metodologji të tillë. Relacioni shpjegues përmend nevojën për reformë, por nuk shpjegon mënyrën e ndërtimit. Mungon dokumenti orientues që përcakton filozofinë e re të drejtësisë penale dhe analiza e ndikimit kriminologjik, ekonomik e social të ndryshimeve të propozuara. Konsultimi institucional ka qenë i kufizuar dhe i pjesshëm. Si pasojë, projekti, ndonëse voluminoz dhe me risi, mbetet i paqartë në disa pjesë dhe i pabarazpeshuar në filozofi, duke rrezikuar që në vend të thjeshtojë sistemin penal, ta bëjë më të vështirë në zbatim. “, u shpreh Sadushi.

Ai tha se pas publikimit të draftit, kanë bërë një analizë me vërejtjet dhe propozimet konkrete, duke ia përcjellë ministrisë së Drejtësisë. Sipas tij, dokumenti prej 50 faqësh evidenton çështjet themelore, që meritojnë reflektim dhe rishikim të kujdesshëm, me synimin që Kodi i ri Penal të jetë një instrument i drejtësisë moderne, i qartë në filozofi, i zbatueshëm në praktikë dhe në shërbi të besimit të qytetarëve tek ligji. 

“Kur u prezantua projekti në korrik, ngrita disa pyetje që mbeten thelbësore edhe sot: A është ky Kod i qartë dhe funksional? A është human dhe proporcional? A i flet qytetarit apo profesionistëve? A ndihmon në konsolidimin e praktikës gjyqësore apo krijon më shumë dilema? Këto nuk janë pyetje retorike, por thelbi i reflektimit për një reformë, që do të përcaktojë fytyrën e drejtësisë sonë penale për dekadat e ardhshme.

Pas publikimit të projektit të Kodit Penal dhe hapjes së konsultimeve publike, Gjykata e Lartë është përfshirë aktivisht në proces, përmes një analize të hollësishme të zhvilluar nga gjyqtarët dhe këshilltarët ligjorë të Kolegjit Penal. Kjo analizë, e mbështetur në praktikën gjyqësore dhe në nevojën për një ligj penal të zbatueshëm dhe të drejtë, është përmbledhur në një dokument të plotë prej afro 50 faqesh, me vërejtje, komente dhe propozime konkrete. I hartuar me seriozitet profesional dhe miratuar nga Mbledhja e Përgjithshme e Gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë, ai i është përcjellë zyrtarisht Ministrisë së Drejtësisë dhe Grupit të Punës, dhe sot paraqitet në këtë tryezë si shprehje e përgjegjësisë institucionale dhe e reflektimit profesional të Gjykatës së Lartë.

Nëpërmjet këtij materiali, por edhe të ngjashmëve të tij, të paraqitura me siguri edhe nga insitucionet e tjera, që marrin pjesë në këtë tryezë, procesi i reformës merr seriozitetin dhe besueshmërinë, që kërkon një ndërhyrje e kësaj rëndësie. Dokumenti evidenton çështjet themelore, që meritojnë reflektim dhe rishikim të kujdesshëm, me synimin që Kodi i ri Penal të jetë një instrument i drejtësisë moderne, i qartë në filozofi, i zbatueshëm në praktikë dhe në shërbim të besimit të qytetarëve tek ligji.  “, shtoi ai.