Nano Prit! Fajtorët e rreshtuar para arkës me Xhin, rivalitet botoksi dhe grupi Zeqineja

Kryesore

Publikuar: 03/11/2025

Nano Prit! Fajtorët e rreshtuar para arkës me Xhin, rivalitet botoksi dhe grupi Zeqineja

Gdhihen, lahen, vishen… rruhen, krruhen dhe… pasi spërkasin parfumin “Pikëllimi”, nisen për ceremoninë e radhës mortore. Rivaliteti i botoksit dhe veshjeve pis të zeza i lë vendin garës për shfaqjen e dhimbjes së thellë. Kush e kush më tepër se tjetri vuan për humbjen e papritur. Të shkrimtarit shumë të dashur Ismail Kadare, hidhërim i madh. Për gazetarin dhe publicistin e njohur Artur Zheji, u tronditën. Astrit Kalaja, gjyqtari “i pushkatuar” në vendin ku jepet verdikti, i shkundi nga themelet.

Fatos Nano i rreshtoi dje të gjithë para arkës së tij mortore. Erdhi koha ta kujtonin… atë që e harruan 20 vjet më parë (2005). Ata që e burgosën (1993-1997); ata që e tradhtuan (1998); ata që e kafshuan (1999-2002); ata që e vodhën (2003-2005); ata që e goditën me vezë (2004-2005); ata që e lënduan (2007) dhe në fund, në radhën kryesore… ata që i lexuan fjalimin mortor (2007-2025).

Ata që nuk erdhën ta qanin bashkë me Xhoin dhe Rexhinën, dërguan lule në internet dhe ngushëllime me buqeta të veshura si njerëz.

Fatos Nano shihte nga brenda arkës të mbuluar me lule dhe trishtim mortor, duke pirë një xhin tonik dhe me nënqeshje tymoste Marlboro. Bënte shaka me ushtarët e Gardës së Republikës që nuk dinin të mbanin në sinkron arkën e tij: “Çuna, ju paska lënë pa trajner vdekje qeveria..!”. Në një çast i foli badigardit besnik: “Tor, s’kam vdek akoma, boll m’qave, po më thuaj, ç’janë këta përballë te PS-ja janë? – Po Shef! PS komplet është..!”.

“E mër Tor, e lashë Inter, Serie A – si Pescara – kategoria e dytë po m’duken… pa shih, e bukur kjo: G99 – çat bashkë me Gramos-Xhafajt. Musa lavatriçen dhe Namikun e Qefsere-s e dija se më deshën sa i doja, po ato katunaret aty afër kush janë – s’i njoh?” 

-“Quhet grupi “Zeqineja” – shef, grup europeist i kriju nga mbesa e Beqir Ballukut që i prin. Ajo aty përballë.”

– “Qartë, qartë Tor, po ky palla me balluke, KOP-isti i Salës, ç’do këtu?” 

– “E ka përzon Sala nga PD-ja këtë – Shef, e mezi pret t’vdesë ndonjë kundërshtar i tij, t’i bëjë rivalitet nëpër vaki e varreza.”

– “Ja dhe Ethemi, Petro, paskan mbet dis’ ata të paktën, krah Bamirit që e bëra President! Por ky si “Berluskoni” kush është Tor?” 

– “Engjëlli shef, nuk e mban mend, avokatin n’Itali?.. tani është bo’ pin-i i t’Gjatit n’Shqipëri.”

– “Nuk e njofta, se i qeka ngref fytyra fare Angelos, Tor. As i qesh, as i qan të shkretit, do vuajë sëmundjen e Silvios “shkrehjen”!”

Bisedën e Tosit me Torin e ndërpret një zë kumbues, plot lartësim dhe trishtim në fjalimortin e tij. “Mos vdeksh kurrë, Fatos Nano” – përfundoi Ai.

“Vdeksha që pardje o Edo, po dhe në fjalimortin tim nuk e le Salinë?” – iu drejtua me qesëndi hijes së gjatë që kalonte përkarshi arkës me xhin.

Teatri mortor vazhdoi të luhej në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ku arka e mbuluar me flamur tërhiqej nga një orkestër e ndryshkur funebër, por ndiqej nga këpucë dhe kostume të sapoblera me para pushteti.

Në Sharrë, plasi gallata sapo hyri në baçen e të ikurve, Fatos Nano. “Çohuni çuna, boll fjetët, hajdeni t’i fusim nga një gotë se për tym s’paskemi nevojë këtej. Çohu Ismail, Zheji na shkruaj edhe ti diçka… për këta koqet që nuk e kuptuan asnjëherë që, arkën me xhin s’duhet ta pështynin as ta thyenin… se dikur do duhej ta mbanin në supet e veta, kur ajo të mbushej me mish! Si mua, sot!”