Nga Esiona Konomi, Report tv
Konsulenti amerikan Chris LaCivita që pagoi Sali Berisha për fushatën e 11 majit ka përfituar edhe nga kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu i cili i ka paguar fatura për akomodim në hotele luksi në Tiranë, por edhe për masazhe.
Nga raporti për shpenzimet dhe të ardhurat që Mediu ka dorëzuar në KQZ, evidentohet se ai ka paguar 1100 euro akomodim e masazhe indian për Chris LaCivita.“Klienti do t’i paguajë Kontraktorit një Mbajtëse sipas orarit të mëposhtëm:
Akomodim në Hotel (Maj 2025):
◦ Fatura për Steëart James Jackson: 81,312.00 ALL (kryesisht akomodim).
◦ Fatura për Paul Manafort: 112,116.00 ALL (akomodim dhe shërbime të tjera).
◦ Fatura për Chris LaCivita: 118,916.00 ALL (akomodim, bar dhe shërbime masazhi)
Fatmir Media ka kontraktuar një kompani amerikane për zgjedhjet e 11 majit, për të bërë strategjinë e rrjeteve sociale. Në raportin që ka dorëzuar në KQZ, thuhet se Mediu ka paguar 35 mijë euro kontratën e PR me Harris Media.
Pjesë nga kontrata
a. Do të paguhet paraprakisht për shërbimet që përfshijnë konsulencën dhe strategjinë dixhitale, menaxhimin e mediave sociale, dizajnin grafik, menaxhimin e bazës së të dhënave, redaktimin e videove të lehta, marketingun me email, mirëmbajtjen e faqes së internetit dhe ndihmën me METА.
b. Kontraktori do të shërbejë si strateg i medias dixhitale, duke marrë pjesë në thirrje dhe takime ditore dhe/ose javore me kërkesë të Klientit dhe duke përgatitur raporte mbi aktivitetet dhe planet mbi iniciativat kryesore në mënyrë të rregullt me kërkesë të Klientit.
Si pjesë e Marrëveshjes së Mbajtjes, Kontraktori do të dërgojë Zëvendëspresidentin e Çështjeve Politike të Harris Media, Brian Ruddle, në Tiranë për datat nga 12 prilli 2025 deri më 19 prill 2025. Përveç kësaj, Harris Media do të dërgojë një nga ekzekutivë tanë të lartë të kontabilitetit, Austin Parsons, për t’u vendosur në vend nga 12 prilli deri në fund të fushatës. Anëtari/anëtarët e stafit të integruar do të punojnë në koordinim të ngushtë me ekipin e Klientit për të ofruar mbështetje në vend, për të ekzekutuar detyra të lidhura me fushatën dhe për të siguruar integrim të përsosur me përpjekjet e vazhdueshme të marketingut dixhital. Kjo dispozitë nuk do të interpretohet si një marrëdhënie pune midis anëtarit të stafit të integruar dhe Klientit. Anëtari i stafit do të mbetet nën drejtimin dhe punësimin e Kontraktorit gjatë gjithë kohëzgjatjes së detyrës.
Shpenzimi do të paguhet sipas skemës së mëposhtme:
– Shpenzim një herësh prej 35,000 dollarësh, për të gjithë kohëzgjatjen e kësaj marrëveshjeje
(2) Klienti do të rimbursojë Kontraktorin për të gjitha rregullimet e udhëtimit dhe akomodimit në përputhje me kushtet e përcaktuara në seksionin e lartpërmendur të kësaj Marrëveshjeje”.
Partia Republikane (PR) ka pasur një total të ardhurash prej 11,808,057 lekë.
Këto të ardhura janë ndarë sipas burimeve si më poshtë, bazuar në Përmbledhjen Financiare të subjektit:
1. Totali i të ardhurave nga fondet publike (Financime publike):
◦ Shuma: 2,689,113.00 ALL.
2. Totali i të ardhurave të krijuara nga vetë partia (Financime jopublike):
Shuma: 9,118,944.84 ALL.
Reagon Mediu: Pagesat për hotelin na takonin ne
Fatmir Mediu, u shpreh gjatë një interviste se edhe kryeministri Edi Rama tentoi që të merrte në skuadrën e fushatës së tij, Chris LaCivita-n dhe ekipin e tij.
“Do ju them edhe këtë sekret. Nuk është se nuk ka tentuar zoti Rama t’i marrë para se t’i merrnim ne. Kanë vajtur edhe në emër të zotit Rama kanë komunikuar për t’i pasur”, tha Mediu për gazetarin Besard Jacaj.
Chris LaCivita është bërë shpesh temë debati, teksa akuzat nga mazhoranca vijnë kryesisht për paratë që janë harxhuar nga opozita për ta sjellë në Shqipëri. Sipas Mediut, kontrata e bërë në zgjedhjet e këtij viti është pothuajse e njëjtë me të njëjtën kontratë që Partia Demokratike ka bërë që në vitin 2025.
Teksa komentohej për drejtuesin e fushatës së PD-së në Shqipëri, Mediu i quajti të pështira dhe qesharake disa lajme të bëra për pagesat e hotelit që ka qëndruar Chris LaCivita në Shqipëri.
“Sot ka pasur një histori domethenë sa të pështirë dhe qesharake. Merrej një faturë dhe pagesa që i ishte bërë të hotelit zotit Chris LaCivita, Paul Manafort dhe lordit Stewart Jackson që erdhën në fushatën elektorale dhe thuhej që Fatmir Mediu u ka paguar masazh edhe dhomën 1 mijë Euro. Këto janë ekzagjerime të atyre që nuk rrinë dot pa u lëpirë pas pushtetit dhe përpiqen të deformojnë lajmin”, tha ai.
Sipas tij, Partia Republikane ka pasur detyrimet e veta në koalicionin opozitar dhe gjithçka bëhet për të krijuar një imazh se janë shpenzuar shumë para.
“Partia Republikane është pjesë e koalicionit dhe ka pasur detyrimet e veta. Partia Republikane ka mbuluar kostot e hotelit në një hotel në Shqipëri, në Tiranë. Kostoja e dhomës ka qenë 27 mijë e 300 lekë të reja. Dhe në atë faturë ka edhe një masazh që ishte 5 mijë e 900 lekë të reja dhe tani thuhet është paguar 1 mijë e 100 euro Chris LaCivita se ka bërë masazh.
Unë po ju them gjë, është kaq fëminore dhe kaq e pavlefshme nga pikëpamja financiare sa është e turpshme për ta diskutuar. Pse bëhet kjo? Për të krijuar një imazh që këtu është shpenzuar. Po ta shikosh kontratën, kontributin etj, mendoj se duhet të jemi krenarë që morëm ekipin më të fuqishëm të presidentit Trump për fushatën”, tha Mediu.
Amerikani Chris LaCivita ishte strategu i fushatës së Partisë Demokratike për zgjedhjet parlamentare të 11 Majit.
LaCivita ka qenë pjesë edhe e fushatës së Donald Trump, që u zgjodh President i SHBA-ve.