Zv. kryeministrja Balluku paraqitet në SPAK, shoqërohet nga motra avokate

Aktualitet

Publikuar: 31/10/2025

Zv. kryeministrja Balluku paraqitet në SPAK, shoqërohet nga motra avokate

Zëvendës kryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku është paraqitur pasditen e sotme në SPAK. Zv.kryeministres i ishte dërguar fletëthirrje nga SPAK që të paraqitej sot në 15:00 e shoqëruar me avokat.

E pyetur nga gazetarët nëse do të japë dorëheqjen, Balluku nuk dha asnjë përgjigje por u fut brenda ambienteve të SPAK. Përfaqësuesja ligjore e Ballukut do të jetë motra e saj, Pamela Qirko, e cila mbërriti në SPAK më herët se zv.kryeministrja.

Prokuroria e Posaçme nuk ka dhënë asnjë detaj për këtë çështje, por gjatë seancës së të enjtes së kaluar, ku kreu Altin Dumani raportoi në Kuvend, pranoi se zëvendës kryeministrja është në hetim.

Theksojmë se PD ka dorëzuar në SPAK 4 padi për Ballukun: për çështjen e tunelit të Llogarasë, shitblerjet e energjisë elektrike, panelet fotovoltaike dhe 2 anijet TEC të prodhimit të energjisë elektrike.