Integrimi në BE, raportuesi për Shqipërinë Andreas Schieder: Shqipëria po ndërmerr ndryshime shumë të mëdha, duhet vazhduar në këtë rrugë

Politikë

Publikuar: 31/10/2025

Integrimi në BE, raportuesi për Shqipërinë Andreas Schieder: Shqipëria po ndërmerr ndryshime shumë të mëdha, duhet vazhduar në këtë rrugë

Shqipëria ka ndërmarrë ndryshime të mëdha. Kështu u shpreh eurodeputeti Andreas Schieder, Raportues i Parlamentit Evropian për Shqipërinë në konferencën për mediat pas takimit të 20-të të Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit BE-Shqipëri. Ai tha se Shqipëria është vendi që ka pësuar më shumë ndryshime në 30 vite në kontinentin evropian, duke përmendur këtu reformimin e sistemit të drejtësisë.

Vlerësoi punën serioze të bërë në aspektin e drejtësisë, që siç shtoi ai, po heton në mënyrë të thelluar kudo, në të gjitha palët, qoftë nga ana e qeverisë, opozitës apo figura të tjera biznesi. 

“Shqipëria po ndërmerr ndryshime shumë të mëdha, do të thosha që në Evropë, Shqipëria është vendi që në këto 30 vitet e fundit ka ndërmarrë shumë ndryshime. Është ajo frymë që i jep mundësinë që të pranojnë këtë ndryshim për tu futur në sistemin evropian. Sfidat përfshijnë krimin kundër korrupsionin, krimit të organizuar, të pasurit një sistem gjyqësor funksional. Pata përshtypjen këtë javë që isha këtu është që procresi po bëhet gjithmonë e më mirë. Duket që Shqipëria po merr shumë seriozisht këtë punë, proces, duke hetuar madje në mënyrë të thelluar këdo pavarësisht nëse i përket qeverisë, opozitës apo nëse janë biznesmenë. “, tha ai.

Më tej, u ndal te çështja e kapitujve, teksa tha se në nëntor pritet të hapet edhe i fundit. Por shtoi se procesi është strit dhe do të duhet që të bëhet detyrat e shtëpisë. Për këtë, theksoi eurodeputeti, është e rëndësishme që të punojnë të gjitha palët së bashku për të arritur integrimin. 

“Çështja është që ka një listë të gjatë kapitujsh që duhen zbatuar. Nga ana teknike ka mundësi që nëntor të hapet kapitulli i fundit, që do të thotë Shqipëria ti ketë hapur dhe të jetë duke negociuar të gjithë kapitujt dhe në 2026 të jetë viti ku kapitujt të mbyllen njëri pas tjetrit. Ky është një proces shumë strikt, ne shohim nëse janë përmbushur kushtet. Mesa ndoqa kam besim që vitin e ardhshëm shumica e kapitujve do të mbyllen. Që do të thotë në 2027 të kemi mundësinë që të gjithë kapitujt të mbyllen. Është e rëndësishme të mbyllen kapitujt dhe të zbatohen ligjet. Nëse je pro zgjerimit, është e rëndësishme që çdo palë të punojnë bashkë. Nëse duam të punojmë për të njëjtin qëllim duhet bërë kjo.”, tha ai.

Takimi i 20-të u mbajt më 29 tetor, ku pati përplasje mes maxhorancës dhe opozitës. Kjo e fundit akuzoi qeverinë për korrupsion në nivele të larta, ndërsa zgjedhjet thanë se nuk përmbushën kriteret minimale për një vend që synon Bashkimin Evropian. Maxhoranca e kritikoi opozitën duke thënë se nuk mbështetet integrimi kur nxin imazhin e vendit.