Lulzim Basha pyetet mbi 1 orë në SPAK për krimin shtetëror të 21 janarit! Ish-ministri i rezervuar: Ruaj sekretin hetimor
Aktualitet
Publikuar: 30/10/2025
I larguar nga politika pas humbjes në zgjedhjet e 11 majit, ku nuk mundi të fitojë as mandatin e tij të deputetit, Lulzim Basha u shfaq papritur në SPAKrreth orës 16.00 të pasdites së kësaj të enjteje, 30 tetor.
Një përshëndetje shkurt mediave dhe u drejtua direkt derës së SPAK. Dorëzoi celularin në raftin e siguruar me çelës, dhe u fut në godinën që prej 1 viti e 3 muajsh, po heton një nga dosjet më të bujshme, atë të 21 janarit. Në demonstratën e 21 janarit 2011 të opozitës socialiste në atë kohë, Lulzim Basha ishte ministër i Brendshëm, kur katër protestues të pafajshëm u vranë me armë.
Pas 1 orë e 20 minuta përballë prokurorit të posaçëm Alfred Shehu, ish-kreu i PD-së Lulzim Basha, u shfaq i rezervuar të tregojë publikisht se për çfarë ishte në SPAK.
Basha: Jam thirrur si person që ka dijeni për një çështje në hetim.
Gazetarët: Për 21 janarin?
Basha: Informacionin se për cilën çështje ju lus ta merrni te institucioni se duhet të respektoj sekretin hetimor.
Gazetarët: A ka pasur urdhër më 21 janar për të qëlluar?
Basha: Kjo ishte gjithçka që kisha për të deklaruar për këtë çështje, për të tjerat me siguri ju ka marrë malli për konferencë për shtyp por duhet të prisni dhe pak.
Në fakt, korrikun e vitit 2024, kur SPAK nisi hetimet për të zbardhur krimin shtetëror të 21 janarit, Lulzim Basha u shfaq entuziast në atë kohë për të bashkëpunuar me drejtësinë.
Prerazi ka mohuar në deklarata publike se nuk është ai personi që urdhëroi gardën të qëllojë me armë ndaj protestuesve përpara kryeministrisë së drejtuar nga Sali Berisha, dhe as të jetë ai që zhduku serverët me të gjitha filmimet e asaj dite.
Me interes pritet të shihet nëse Lulzim Basha është vendosur 100% në dispozicion të drejtësisë për të treguar përballë hetuesve, gjithçka ai di, gati 15 vite nga vrasjet në bulevard.
SPAK ka në duar sfidën e të vënit drejtësi për krimin e gjykuar një herë nga sistemi i vjetër, si “vrasje nga pakujdesia”.
Ishte insistimi i palëkundur i familjarëve të Aleks Nikës, e vetmja vrasje pa autor, që çoi dosjen e 21 janarit në dyert e SPAK. Më 12 mars të vitit 2024, Gjykata e Lartë foli në frymën e një vendimi historik të një prej gjykata më të rëndësishme ndërkombëtare, asaj në Strasburg për të Drejtat e Njeriut, dhe urdhëroi SPAK të hetojë 21 janarin si krim shtetëror, për të zbardhur rolin dhe përgjegjësitë e drejtuesve të lartë shtetërorë, Berishës, Bashës, e Ndrea Prendit për vrasjet e 4 protestuesve, Hekuran Deda, Ziver Veizi, Faik Myrtaj dhe Aleks Nika, sot dëshmorë.
Prokuroria e Tiranës çoi të pandehur vetëm ish-komandantin e gardës Nrea Prendi dhe përgjegjësin e njësisë speciale Agim Llupo të cilët në 2013-ën u dënuan nga gjykata për vrasje nga pakujdesia, Prendi me 1 vit burg, Llupo me 3 vite, tashmë prej kohësh, të dy njerëz të lirë.
Prokuroria e Posaçme regjistroi më 15 korrik procedimin penal për 3 vepra penale, “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese” e kryer në bashkëpunim kundër dy ose më shumë personave dhe në mënyrë të rrezikshme për jetën e shumë personave, “Shpërdorim i detyrës” kryer në bashkëpunim, “Kryerja e veprimeve që pengojnë zbulimin e së vërtetës” kryer në bashkëpunim.