Zyrat ligjore ndërkombëtare publikojnë raportin për Veliajn: S’ka rrezik për t’u arratisur! Paraburgimi i pajustifikuar, pretekst antikushtetues për ta larguar nga detyra

Politikë

Publikuar: 28/10/2025

Zyrat ligjore ndërkombëtare publikojnë raportin për Veliajn: S’ka rrezik për t’u arratisur! Paraburgimi i pajustifikuar, pretekst antikushtetues për ta larguar nga detyra

Dy zyrat ligjore Kasowitz LLP me seli në Nju Jork dhe Mishcon de Reya LLP me seli në Londër, që përfaqësojnë Erion Veliajn, kryetarin e Bashkisë së Tiranës, kanë publikuar një raport të ri lidhur me arrestimin e kryebashkiakut Erion Veliaj.

Raporti i përditësuar e cilëson mbajtjen e Veliajt në paraburgim si persekutim politik të kryebashkiakut të Tiranës, si dhe “shqyrton motivimet e dukshme dhe të papërshtatshme politike që qëndrojnë në themel të çështjes së SPAK-ut ndaj tij”. Sipas Raportit, Veliaj mbahet në paraburgim, ndonëse nuk paraqet rrezik për t’u arratisur, dhe as paraqet rrezik për të penguar çështjen e SPAK-ut.

Raporti thekson se paraburgimi i pajustifikuar i Veliajt ka shërbyer si pretekst për ta larguar atë nga detyra në mënyrë antikushtetuese. Në raport shprehet edhe shqetësimi se çështja ndaj Veliajt është një përndjekje politike e hartuar për t’a eleminuar politikisht atë.

Më poshtë, deklarata e plotë e studiove ligjore Kasoëitz dhe Mishcon de Reya:

Kasoëitz LLP (Nju Jork) dhe Mishcon de Reya LLP (Londër) njoftuan sot publikimin e një Raporti të përditësuar Veliaj, me titull “Raport lidhur me përndjekjen politike të Erion Veliajt, kryetarit të Bashkisë së Tiranës.” Ky raport përditëson “Raportin lidhur me ndalimin e padrejtë nga SPAK të një Kryetari Bashkie të zgjedhur në mënyrë demokratike në kryeqytetin e Shqipërisë: Erion Veliaj”, të cilin studiot ligjore e kishin publikuar më 24 qershor 2025.

Raporti i Përditësuar Veliaj shqyrton motivimet e dukshme dhe të papërshtatshme politike që qëndrojnë në themel të çështjes së SPAK-ut ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj. Sipas raportit, në harkun e tetë muajve, ngjarje kyçe kanë krijuar përshtypjen e pamohueshme se hetimi penal ndaj Veliajt nga SPAK-u nuk është një hetim i zakonshëm. Kryebashkiaku Veliaj mbahet në paraburgim që prej muajit shkurt, pavarësisht faktit se ai nuk paraqet rrezik për t’u arratisur, rrezik për të penguar çështjen e SPAK-ut, apo rrezik për të ripërsëritur veprat e supozuara për të cilat akuzohet. Sipas raportit, fakti që kryebashkiakut Veliaj iu mohua lirimi me kusht – ndërkohë që 17 nga të pandehurit e tjerë, të akuzuar në të njëjtën çështje u lanë të lirë me kushte minimale – ilustron pabarazinë e theksuar në mënyrën si është trajtuar ai nga autoritetet shqiptare.

Për më tepër, Raporti i Përditësuar Veliaj vëren se zhvillimet e fundit politike kanë shtuar shqetësimin se çështja e kryebashkiakut Veliaj është një përndjekje politike e hartuar për t’a hequr atë, në kundërshtim me Kushtetutën e Shqipërisë, nga posti i fituar në mënyrë të rregullt si Kryetar i Bashkisë. Në shtator, Këshilli Bashkiak i Tiranës – duke cituar paraburgimin e pavullnetshëm të kryebashkiakut Veliaj – e shkarkoi atë nga detyra. Siç vë në dukje raporti, ky vendim, i pasuar nga një njoftim i Presidentit të Republikës për mbajtjen e zgjedhjeve të reja për të zëvendësuar kryebashkiakun Veliaj, krijoi përshtypjen se paraburgimi i pajustifikuar i kryebashkiakut Veliaj ka shërbyer si pretekst mbi të cilin autoritetet shqiptare të përpiqen t’a largojnë në mënyrë antikushtetuese nga detyra dhe t’u mohojnë qytetarëve të Tiranës të drejtën e vetëqeverisjes. Ndërkohë që Gjykata Kushtetuese ka pezulluar, për momentin, çdo veprim të tillë deri sa të vendoset mbi ankimin e kryebashkiakut Veliaj, i cili kundërshton vendimin e Këshillit Bashkiak, Raporti i Përditësuar Veliaj shqyrton pasojat e kësaj krize kushtetuese. Një nga vëzhgimet e raportit është se çështja e kryebashkiakut Veliaj përbën një shembull të qartë ku vihet në pikëpyetje angazhimi i Shqipërisë ndaj procesit të rregullt ligjor. Sipas raportit, manovrat e fundit politike të ndërmarra për ta larguar nga detyra kanë cenuar prezumimin e pafajësisë, që kryebashkiakut Veliaj i takon, dhe e kanë privuar atë nga liria dhe detyra – të gjitha këto, përpara se gjyqi i tij të nisë.