Dokumentet / Nuri Balla dhe Gëzim Islami vodhën paratë e tenderit të Shkollës Artistike “Onufri” në Elbasan, dyshime për skemë korrupsioni, qindra tendera e dhjetëra milionë euro

Investigim

Publikuar: 26/10/2025

Dokumentet / Nuri Balla dhe Gëzim Islami vodhën paratë e tenderit të Shkollës Artistike “Onufri” në Elbasan, dyshime për skemë korrupsioni, qindra tendera e dhjetëra milionë euro

Në 12 tetor 2020, Bashkia e Elbasanit, me firmën e ish nënkryetares Aulona Bylykbashi, ka shpallur fituese kompaninë Ergi shpk për tenderin me objekt ‘rikonstruksion, shtesë 4-kat dhe palestër, Shkolla Artistike “Onufri (e mesme e bashkuar)’. Fondi limit ishte 1.7 milionë euro, ndërsa oferta fituese rezulton rreth 1.6 milionë euro.

Pronari i kompanisë së ndërtimit Ergi shpk është Nuri Balla, ndërsa administratorë janë Erjona Bajraktori dhe Ergi Balla. Gjatë 10 viteve të fundit, kompania Ergi ka marrë e vetme dhe në bashkëpunim rreth 130 milionë euro tendera publikë. Gjatë 5 viteve të fundit, kompania Ergi shpk ka marrë e vetme nga thesari i shtetit 40 milionë euro për zbatimin e kontratave publike, shumë prej të cilave me flamur të kuq.

Për mbikqyrjen e punimeve të rikonstruksionit, shtesë 4-kat dhe palestër, Shkolla Artistike “Onufri”, Bashkia Elbasan ka shpallur fituese kompaninë Erald-G shpk, duke skualifikuar 8 shoqëri të tjera. Pronar dhe administrator i kompanisë Erald-G shpk është Gëzim Islami.

Kompania e Islamit është kontraktur me dhjetëra herë për mbikqyrje punimesh dhe projektime. Ka fituar rreth 350 procedura publike e vetme dhe në bashkëpunim. Islami ka fituar procedura për projektim veprash publike edhe në bashkëpunim me kompaninë Net-Group të Valter Begajn, ortakut të Vis Berberit, sot që të dy në burg me kërkesë të SPAK për korrupsion dhe pastrim parash.

Çfarë ka ndodhur?

Kompania Ergi shpk ka abuzuar me zbatimin e kontratës për rikonstruksionin, shtesë 4-kat dhe palestër, Shkolla Artistike “Onufri”, duke përvetësuar paratë publike. Shoqëria Ergi shpk, në bashkëpunim me kompaninë Erald-G shpk, kanë mashtruar me volumin e punimeve, kanë certifikuar punime të pakryera, pra kanë bërë situacione false, duke përvetësuar me të pa drejtë paratë publike. Kompania e zbatimit të punimeve e ka të pamundur të devijojë dhe manipulojë pa bashkëpunimin e kompanisë së mbikqyrjes së punimeve.

Vjedhja e parave publike konstatohet nga një raport i Kontrollit të Lartë i Shtetit për auditimin e veprimtarisë së Bashkisë Elbasan. Sipas KLSH-së çdo tender i audituar në Elbasan është abuziv, me natyrë korruptive. Fituesit e tenderave janë shpallur pa plotësuar kriteret, ndërsa në raster kur i kanë plotësuar, kanë mashtruar me zbatimin e kontratave.

Po a është një rast i izoluar përvetësimi i parave publike nga Nuri Balla dhe Gëzim Islami me tenderin e shkollës Shkolla Artistike “Onufri” apo kemi të bëjmë me një skemë të organizuar korrupsioni të aplikuar edhe në tendera të tjerë?