Rezoluta e fundit e Parlamentit Evropian e kritikoi ashpër situatën e polarizuar politike në Serbi, udhëheqjen serbe dhe përkeqësimin e demokracisë pas protestave qytetare gati njëvjeçare, por presidenti Aleksandar Vuçiq ende shpreson se vendi do të jetë anëtar i BE-së brenda dekadës.
Në një intervistë për radiotelevizionin publik RTS, Vuçiq foli për “surpriza” dhe si mund të ndikojë dialogu me Kosovën në gjithë këtë.
“Nuk kam iluzione për këtë. Mendoj se do të ketë shumë surpriza, vendime të ndryshme gjeopolitike në një vit ose një vit e gjysmë. Mendoj se gjithçka do të ndryshojë,” tha Vuçiq.
Sipas presidentit serb, Serbia i ka shanset që të anëtarësohet në Bashkimin Europian para vitit 2030.
“Unë besoj se ka shanse të tilla. Por ka edhe një çështje tjetër: çështja e Kosovës. Nuk mund ta pranoj pavarësinë e Kosovës dhe nuk do ta bëj,” u shpreh presidenti.
Zgjedhjet e fundit lokale në Kosovë ia kanë shtuar optimizmin kryetarit të shtetit serb për vitet e ardhshme.
“E përgëzova Listën Serbe për rezultatin e pamundur në kushte të pamundura, kur kundër tyre punonin të gjithë të huajt, në radhë të parë ata nga Perëndimi, por edhe mediet kryesore në Serbi. Këta njerëz i kanë duruar të gjitha,” theksoi presidenti.
Vuçiq tha se Serbia mbetet e rrezikuar politikisht nga situata gjeopolitike. Sipas tij, rreziku më i madh do të vinte nga një “luftë e vërtetë” midis Evropës dhe Rusisë.
“Ne duhet të shmangim pjesëmarrjen në çfarëdo mënyre dhe duhet të ruajmë neutralitetin tonë ushtarak. Në çdo mënyrë! Ne duam të shmangim çdo konflikt rajonal me çdo mënyrë. Pra, nuk kemi frikë nga askush. Ne jemi mjaft të fortë, por unë nuk dua të marr pjesë në luftëra,” theksoi presidenti serb.
Për sa i përket incidentit të ndodhur mesditën e së mërkurës pranë ndërtesës së Parlamentit në Beograd, ku shpërtheu një zjarr ka në një kamp me tenda të ngritur jashtë Kuvendit Kombëtar, Vuçiq tha se është plotësisht e qartë se kush e ka bërë.
“Ne po durojmë dhunë të tmerrshme prej një viti. Njerëzit janë penguar në lëvizjen e tyre në rrugët e Serbisë qindra mijëra herë. Janë mbajtur më shumë se 25 mijë mitingje kriminale dhe të paligjshme të padeklaruara, të cilat, në fund të fundit, ne madje i kemi siguruar dhe kemi shpenzuar shuma të mëdha parash… Mbrëmë dola jashtë Kuvendit Kombëtar. Iu drejtova njerëzve të indinjuar dhe të tërbuar dhe u thashë, ‘Njerëz, ju lutem, ulni tensionet’. Ne duhet të jetojmë. Këto janë motrat dhe vëllezërit tanë, janë manipuluar në një luftë serioze, hibride që po i bëhet këtij vendi,” tha presidenti serb.