Sot do të mbahet në Apelin e GJKKO-së seanca për shqyrtimin e kërkesës së Ilir Metës për lirimin nga qelia. Seanca e kaluar u shty me kërkesë të avokatit të tij, Kujtim Cakrani me pretendimin se në fletën e njoftimit për thirrjen në seancë nuk ishte bërë me dije emri i gjyqtares që do të shqyrtonte çështjen.
Ish-presidenti ndodhet në qeli që prej tetorit të vitit të kaluar ndërsa është marrë i pandehur për korrupsion pasiv, pastrim parash dhe fshehje pasurie. SPAK mbylli hetimet më 28 korrik, ndërsa dosjen e kaloi për gjykim në fund të gushtit, e cila përfshiu tre hetime në një aferën CEZ-DIA, lobimin e LSI në SHBA dhe hetimin pasuror.
Një ditë më parë, GJKKO rrëzoi sërish Metën për ndryshimin e masës së sigurisë pasi pretendonte se janë shkelur të gjitha afatet e paraburgimit. Më 16 tetor edhe Gjykata e Lartë rrëzoi rekursin e tij për masën e sigurisë.
Me të njëjtat akuza si Meta përballet edhe ish-bashkëshortja e tij, Monika Kryemadhi, si dhe tre persona të tjerë, Pirro Xhixho për korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë të kryer në bashkëpunim, dhe Fatime Kryemadhi dhe Ema Çoku për pastrim parash.