Ky është një paradoks ligjor dhe një kontradiktë morale që e bën të pavlefshme çdo pretendim për barazi përpara ligjit. Si mund të flitet për bashkëpunim institucional dhe respekt reciprok, kur një avokat procedohet penalisht vetëm pse ushtron detyrën e tij kushtetuese, mbrojtjen e klientit, analizën dhe kundërshtimin e provave?
Pas disa ditësh tension dhe reagimesh të forta nga komuniteti i avokatëve, Prokuroria e Elbasanit ka dalë me një qëndrim zyrtar lidhur me ndalimin e avokatit Uljan Bajrami.
Në këtë deklaratë, prokuroria pranon se ndalimi ishte i paligjshëm, duke urdhëruar lirimin e menjëhershëm të tij. Deri këtu, çdo veprim do të mund të shihej si korrigjim institucional, një reflektim i vonuar, por i drejtë.
Mirëpo, në të njëjtën kohë, e njëjta prokurori deklaron se ka regjistruar një procedim penal ndaj të njëjtit avokat për veprat penale Kanosja për shkak të detyrës, Kanosja e gjyqtarit dhe Kundërshtimi dhe goditja e gjyqtarit”
Ky është një paradoks ligjor dhe një kontradiktë morale që e bën të pavlefshme çdo pretendim për barazi përpara ligjit. Si mund të flitet për bashkëpunim institucional dhe respekt reciprok, kur një avokat procedohet penalisht vetëm pse ushtron detyrën e tij kushtetuese, mbrojtjen e klientit, analizën dhe kundërshtimin e provave?
Nëse çdo kundërshtim ndaj provave, çdo debat procedural apo çdo ton kritik në sallë mund të interpretohet si “kanosje” apo “kundërshtim i gjyqtarit”, atëherë ne nuk kemi më proces të rregullt ligjor, por gjykime të frikësuara.
Një drejtësi që ndëshkon fjalën e avokatit, ndëshkon vetë frymën e lirisë juridike mbi të cilën ngrihet sistemi i drejtësisë.
Në komunikatën e saj, prokuroria përpiqet të japë mesazhin e bashkëpunimit dhe respektit ndaj institucioneve.
Por kur veprimet konkrete bien ndesh me këtë frymë, fjalia e tyre për “respekt reciprok dhe integritet profesional” mbetet një fasadë komunikimi, e cila nuk mbulon realitetin e hidhur të një ndalimi dhe procedimi të padrejtë.
Nuk mund të ketë drejtësi të barabartë, kur njëra palë prokuroria gëzon pushtetin për të ndaluar e proceduar, ndërsa pala tjetër avokatia duhet të mbrohet nga vetë abuzimet e këtij pushteti.
Ky nuk është barazim profesional, është asimetria e forcës që rrezikon thelbin e drejtësisë.
Avokati nuk është kundërshtar personal i prokurorit, por garancia ligjore që procesi gjyqësor të jetë i ndershëm, transparent dhe i balancuar.
Nëse prokuroria e sheh avokatin si kërcënim, atëherë humbet ekuilibri i sistemit.
Në të vërtetë, prokurorët dhe avokatët janë dy shtylla që mbajnë drejtësinë në këmbë.
Njëra pa tjetrën bie, dhe bashkë me to bie edhe besimi i qytetarit. Nëse qytetari sheh se avokati mund të ndalohet, të bullizohet apo të procedohet vetëm pse flet, atëherë çdo qytetar e kupton se askush nuk është i mbrojtur. /Pamfleti

