Shpërthim i fuqishëm në Bukuresht, 3 të vdekur dhe 13 të plagosur

Aktualitet

Publikuar: 17/10/2025

Shpërthim i fuqishëm në Bukuresht, 3 të vdekur dhe 13 të plagosur

Një shpërthim i fuqishëm ka tronditur paraditen e sotme kryeqytetin rumun, Bukuresht. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në një ndërtesë tetëkatëshe, ku si pasojë e shpërthimit janë shkatërruar dy pallate, kanë humbur jetën tre persona dhe janë plagosur të paktën 13 të tjerë.

Sipas mediave të huaja, shpërthimi ka ndodhur në katin e pestë dhe të gjashtë të godinës. Autoritetet njoftojnë se shkaku i ngjarjes tragjike nuk është përcaktuar ende, ndërsa furnizimi me gaz në zonë është ndërprerë si masë sigurie.

Ministria e Shëndetësisë e Rumanisë bëri të ditur se viktimat janë raportuar me politraumë dhe djegie të rënda. Një prej tyre u gjet pa shenja jete nën një pllakë betoni në katin e gjashtë, ndërsa të plagosurit janë dërguar në spitalet e kryeqytetit.

Të gjithë banorët janë evakuuar menjëherë nga ndërtesa, ndërsa ekipet e shpëtimit po vijojnë kërkimet për persona që mund të kenë mbetur të bllokuar nën rrënoja.