Lufta/ Trump takohet sot me Zelenskyn në Uashington, presidenti amerikan do të shqyrtojë nëse do ta pajisë Ukrainën apo jo me raketa Tomahawk

Botë

Publikuar: 17/10/2025

Lufta/ Trump takohet sot me Zelenskyn në Uashington, presidenti amerikan do të shqyrtojë nëse do ta pajisë Ukrainën apo jo me raketa Tomahawk

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky do të takohet me Presidentin e SHBA-së Donald Trump në Uashington sot, ndërsa Trump do të shqyrtojë nëse do ta pajisë Ukrainën me raketa Tomahawk të afta të godasin thellë territorin e Rusisë.

Takimi i tyre vjen një ditë pasi Trump tha se ishte arritur “përparim i madh” gjatë një telefonate me Presidentin rus Vladimir Putin, me të cilin palët ranë dakord të zhvillonin bisedime ballë për ballë në Hungari.

Trump tha se telefonata, e para me Putinin që nga mesi i gushtit, ishte “shumë produktive”, duke shtuar se ekipet nga Uashingtoni dhe Moska do të takohen javën e ardhshme.

Ndërsa Zelensky mbërriti në SHBA, vizita e tij e tretë që nga janari, ai tha se Moska po “nxitonte të rifillonte dialogun sapo dëgjoni për furnizimin e Ukrainës meTomahawkët”.

Zelensky i ka bërë thirrje SHBA-së që t’i sigurojë Ukrainës raketat e përparuara, të cilat kanë një rreze veprimi prej 2,500 km (1,500 milje).

I pyetur më parë nëse Trump po shqyrtonte dhënien e raketave Tomahawk për Ukrainën, ai tha: “Do ta shohim… Mund ta bëj.” Por i pyetur për të njëjtën perspektivë pas telefonatës së tij me Putinin, Trump tha se “nuk mund t’i shterojmë” rezervat amerikane të Tomahawk-ëve, duke shtuar “edhe ne kemi nevojë për to… kështu që nuk e di se çfarë mund të bëjmë në lidhje me këtë”.

Në platformën e tij “Truth Social” pas përfundimit të telefonatës me Putinin, Trump tha se ai dhe presidenti rus “kaluan shumë kohë duke folur për tregtinë midis Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara kur të mbaronte lufta me Ukrainën”.

Ai tha se “këshilltarët e nivelit të lartë” nga të dy vendet do të takohen në një vend të paspecifikuar javën e ardhshme, me Sekretarin e Shtetit Marco Rubio që do të kryesojë delegacionin amerikan.

Trump tha gjithashtu se do ta informonte Zelenskyn mbi bisedimet e tij me Putinin të premten, duke shtuar: “Unë besoj se është bërë përparim i madh me bisedën telefonike të sotme”.