Humbi për 1 votë vendin në Kushtetuese, Administrativja shqyrton sot kërkesën e Naureda Llagamit për pezullimin e vendimit të Gjykatës së Lartë

Kronike

Publikuar: 13/10/2025

Humbi për 1 votë vendin në Kushtetuese, Administrativja shqyrton sot kërkesën e Naureda Llagamit për pezullimin e vendimit të Gjykatës së Lartë

Gjykata Administrative shqyrton sot kërkesën për sigurim padie të Naureda Llagamit kundër procedurës së votimit në Mbledhjen e Posaçme të Gjykatës së Lartë për zgjedhjen e anëtarit të ri të Gjykatës Kushtetuese që u mbajt më 30 shtator. Llagami mori 8 vota nga 9 që do t’i jepnin asaj postin, pasi një votë u shpall e pavlefshme.

I renditur i pari nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi (KED), gjyqtari Asim Vokshi, u shpall automatikisht, kandidati i përzgjedhur për në Gjykatë Kushtetuese. Llagami ka kërkuar nga Gjykata Administrative pezullimin e zbatimit të vendimit të Mbledhjes së Posaçme si dhe të procedurave deri në zgjidhjen përfundimtare të çështjes.

Llagami pretendon se në fletën e votimit ishte shënuar dy herë pranë emrit të saj, por u shpall e pavlefshme qëllimisht për të ndryshuar rezultatin. Nëse kjo votë do të ishte lexuar siç duhet, sipas Llagamit, ajo do të kishte 9 vota, pra 3/5 e votave, dhe do të ishte ajo gjyqtarja e re e Kushtetueses dhe jo Vokshi, i cili u zgjodh si i rendituri më lart në pikëzimin e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.

Fleta e votimit e shpallur e pavlefshme kishte dy shenja, si në kutinë ku duhej vendosur një nga shenjat e parashikuara nga Rregullorja e Posaçme për mbledhjen e gjyqtarëve të saj për zgjedhjen e anëtarit të Gjykatës Kushtetuese, dhe një tjetër shenjë përpara emrit të Llagamit, një rreth i cili kishte qarkuar numrin 2, që në renditje i përkiste asaj. Për Llagamin, një gjë e tillë nuk mund të çojë në pavlefshmëri pasi vullneti në favor të kandidaturës së saj mbetet i shprehur qartë.

Por Gjykata e Lartë thotë se procesi i votimit zhvillohet sipas rregullave të përcaktuara. Ajo citon nenin 12 pika 6 të Rregullores që “ndalon çdo shënim tjetër në fletën e votimit, përveç shenjës së përcaktuar”, si dhe nenin 13 pika “b” që përcakton pavlefshmërinë e votës, “kur në fletë janë bërë shënime në favor ose në disfavor të kandidatëve”. Të dy këto nene, thotë Gjykata e Lartë në parashtrimin dorëzuar në Administrative, “janë rregulla ndalimi absolut: ato nuk lidhen me faktin nëse vullneti është i qartë apo jo, por sanksionojnë pavlefshmërinë nëse në fletë ka një shenjë të dytë ose një shënim shtesë, pikërisht sepse kjo shenjë kompromenton fshehtësinë”.

Sipas Gjykatës së Lartë, “çdo pretendim i ngritur mbi një votë të pavlefshme është i pabazuar juridikisht dhe etikisht diskretitues për kandidaten humbëse”.