Mediat serbe e quajnë humbjen më të rëndë në histori disfatën përballë kuqezinjve në Silvinjos në Leskovac.
“Tragjedi dhe fundi i ‘idesë’ së Stojkoviqit: Shqipëria në Leskovc shoi shpresat e Serbisë për Botëror”, ka shkruar “sportal.rs”.

“Serbia dëshpëruese humb nga Shqipëria, fishkëllima në Leskovc për reprezentacionin e Stojkoviqit”, shkruan “nova.rs”.
“Debakël i Serbisë në Leskovc – porosi e qartë nga tribunat për Piksin”, shkruan “b92.net”.
“Turpërim dhe katastrofë: Shqipëria ngulit Serbinë dhe Piksin”, shkruan “Sportklub”.

Sfida e luajtur në tokën serbe solli vetëm festë shqiptare, pavarësisht provokimeve të njëpasnjëshme dhe koreve të turpshme nga ana e tifozëve vendas.
Në minutat e para serbët u dukën më kërkues, gjithsesi kuqezinjtë reaguan shumë shpejt duke provuar disa herë me anë të krosimeve të Asllanit.
Ishte pikërisht një nga këto të fundit, që në fund të pjesës së parë sollën dhe festën kuqezi. Rey Manaj, sulmuesi që u kritikua për penalltinë e humbur në Tiranë, ishte në kohën e duhur dhe në vendin e duhur që me të djathtën të lëshonte një gjuajtje të pakapshme për Petrovic, duke kaluar në avantazh kuqezinjtë.
Festa me shqiponjë e sulmuesit shqiptar “tërboi” dhe më shumë serbët, që nuk dinin më çfarë koresh raciste të këndonin.
Në pjesën e dytë, serbët tentuan të barazonin sfidën, por në çdo rast Strakosha u tregua i vëmendshëm dhe i kujdesshëm për të ndalur çdo aksion të vendasve.
Pas vërshëllimës së fundit, shpërtheu sërish festa kuqezinjtë, me Shqipërinë që qëndron kështu në vendin e dytë të Grupit K me 11 pikë, 4 më shumë se serbët.
Ndërkohë trajneri i Kombëtares serbe, Dragan Stojkoviç, ka dhënë dorëheqjen menjëherë pas humbjes.
Lajmin ai e bëri të ditur vetë në konferencën për media që zhvilloi pas ndeshjes, ku tha se Kombëtarja shqiptare e meritoi fitoren.
Ai shtoi gjithashtu se nuk do të udhëtojë me ekipin serb drejt Andorrës, pasi sipas tij, është e pakuptimtë, teksa shtoi se i ka ofruar dorëheqjen Presidentit të klubit.
“A kemi lojtarë më të mirë? Nuk e di. Kjo përzgjedhje lojtarësh ka qenë zgjedhja ime. U përpoqa ta zgjidhim këtë ndeshje në favorin tonë. Ose kam gabuar në zgjedhje, ose thjesht kam gabuar, por ja që ndodhi kështu. Kur të largohem, do të largohem me krenari. Ka qenë privilegj të jem trajner i vendit tim. Që kur mora drejtimin, dikush do analizojë nëse ia vlejti apo jo, nëse pati gjëra të mira, mendoj se po, por nuk duhej të ndodhte të humbnim këtë ndeshje. Jo për mua, por thjesht nuk duhej të ndodhte.
Situata është e veçantë sepse nesër udhëtohet për në Andorra. Unë nuk udhëtoj, është e pakuptimtë të shkoj me ekipin. Ua thashë këtë, më dëgjuan. U thashë se me shumë gjasë nuk do shkoj në Andorra dhe se ndeshjen me shumë mundësi do ta drejtojë ndihmësi im, Goran Đoroviç.”, tha ai.