260 gjyqtarë u bënë bashkë në një mbledhje urgjente pas vrasjes së gjyqtarit të Apelit, Astrit Kalaja dhe kërkuan me shumë siguri. Menjëherë pas kësaj thirrje, kreu i Gardës, Simon Zereci zbarkoi sot në ambientet e Gjykatës së Posaçme.
Zereci ka zhvilluar një takim me kryetarin e komanduar të GJKKO-së, Erion Banin, si edhe ka zhvilluar një inspektim në ambientet Gjykatës së Posaçme, por edhe të SPAK. Prej vitit 2023, perimetri i jashtëm i GJKKO-së dhe SPAK-ut ruhen nga Garda e Republikës, pasi konsiderohen institucione të rëndësisë së veçantë.
Një ditë më parë, Bani në mbledhjen e përgjithshme të gjyqtarëve kërkoi inspektime në të gjitha ambientet e gjykatave. Ai deklaroi se duhen evidentuar të gjitha problematikat deri tek pyetja e gjyqtarëve dhe stafit të gjykatave për çdo shqetësim apo problematikë që mund të hasin gjatë ushtrimit të funksioneve.
Kush e ka përgjegjësinë për ruajtjen e Gjykatave?
Pas vrasjes së gjyqtarit Kalja në sallën e gjyqit, debati që dominoi opinion publik dhe solli akuza edhe mes inistucuoneve ishte pyetja se kush është përgjegjës për garantimin e sigurisë në gjykata. KLGJ publikoi shkresat me Policinë e Shtetit ku në bazë të një VKM-je të vitit 2010 i kishte kërkuar masa për garantimin e sallave të gjyqeve me policë. Sipas KLGJ, Policia e Shtetit aktualisht ofron shërbimin e saj vetëm me një punonjës në hyrjen kryesore ku lëvizin palët dhe publiku.
Por, një VKM e vitit 2020 ngarkon me
përgjegjësi Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe Këshillin e Lartë të Prokurorisë për hartimin e politikave për rregullin dhe sigurinë, përkatësisht në Gjykata dhe prokuroritë e vendit. Elementi më i rëndësishëm në këtë VKM është “punonjësi i sigurisë” i cili është përgjegjësi kryesor që garanton rregullin dhe sigurinë.