Edhe pse Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK) ka konstatuar një sërë shkeljesh në pasurinë dhe integritetin e saj profesional, gjyqtarja e Tiranës Blerina Muço kërkon tani nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit (KPA) që të rikthehet në detyrë.
Në seancën e mbajtur më 7 tetor, Muço paraqiti prova dhe argumente të reja lidhur me të ardhurat e bashkëshortit të saj nga një kontratë për asistencë ligjore gjatë viteve 2005–2008, duke pretenduar se analiza financiare e KPK-së e ka penalizuar padrejtësisht.
Muço u shkarkua nga detyra më 1 nëntor 2023, pasi shumica e trupës së KPK-së arriti në përfundimin se ajo “nuk arrin nivel të mjaftueshëm për pasurinë” dhe se në vlerësimin e përgjithshëm të çështjes janë evidentuar probleme që “cenojnë besimin e publikut tek drejtësia”
Por, pavarësisht këtyre konstatimeve, gjyqtarja ka zgjedhur të sfidojë vendimin duke u përpjekur të paraqitet si viktimë e një keqinterpretimi të të dhënave tatimore.
Në Kolegjin e Apelimit, Muço argumentoi se bashkëshorti i saj nuk kishte qenë në dijeni të moshlyerjes së detyrimeve tatimore nga kompania ku kishte punuar dhe se kjo detyrë i takonte punëdhënësit.
Sipas saj, vendimi gjyqësor që detyron shoqërinë të shlyejë këto detyrime duhet të konsiderohet si provë që e përmbys analizën financiare të Komisionit.
Por nga shqyrtimi i relatores Natasha Mulaj, dolën sërish mospërputhje të rëndësishme: kontrata e përmendur nga gjyqtarja rezulton kontradiktore me deklarimet e pasurisë dhe me të dhënat e marra nga shoqëria. Madje, relatorja vërejti mungesën e provave që vërtetojnë ekzistencën e marrëveshjes dhe se bashkëshorti i Muços kishte përfituar të ardhura edhe nga kompani të tjera, element që ngre dyshime mbi transparencën financiare të familjes.
Pavarësisht kësaj, Kolegji vendosi të çelë hetimin gjyqësor dhe të administrojë dokumentet e reja të dorëzuara nga subjekti.
Muço kërkon që ato të merren parasysh në analizën financiare dhe të konfirmohet në detyrë, duke sfiduar një vendim të KPK-së që u mbështet në fakte dhe në vlerësimin e cenimit të besimit publik.
Vendimi përfundimtar i KPA-së do të shpallet më 13 tetor, në orën 15:00.