Vrasja e gjyqtarit Kalaja/ Lihen në burg autori, xhaxhai i tij dhe roja e sigurisë së Apelit

Kronike

Publikuar: 09/10/2025

Vrasja e gjyqtarit Kalaja/ Lihen në burg autori, xhaxhai i tij dhe roja e sigurisë së Apelit

Gjykata e Tiranës ka lënë në burg Elvis Shkambin, autorin e vrasjes së gjyqtarit të Apelit, Astrit Kalaja. Masa e sigurisë arrest me burg u konfimua edhe për xhaxhanë e tij, Gjon Shkambi, si edhe rojën e sigurisë së Gjykatës së Apelit në Tiranë, Banush Koxhaj. Seanca u mbajt në Dhomën Penale të Gjykatës me dyer të mbyllura.

Elvis Shkambi, 30 vjeç, Autori i vrasjes së gjyqtarit dhe plagosjes së Rakip dhe Ervis Kurtajt, babë e bir, përballet me tre akuza: vrasje e funksionarëve publikë, vrasje në rrethana të tjera cilësuese kundër palëve të përfshira kryer në bashkëpunim dhe mbetur në tentativë, si dhe mbajtje pa leje dhe prodhim i armëve, armëve shpërthyese dhe municioneve.

Për sa i përket Gjon Shkambit, prokuroria ka ndryshuar kualifikimin fillestar të veprës penale që i referoi policia, e cila e akuzonte edhe atë për vrasjen e gjyqtarit. Organi i akuzës dyshon se Gjoni kishte dijeni vetëm planin e nipit të tij ndaj palës kundërshtare në gjyq. Madje Prokuroria thekson se ka dyshime që Gjon Shkambi ka pasur rolin e nxitësit në tentativën për të vrarë babë e bir, të cilët jetojnë në pronën e pretenduar prej tij në Shkodër.

Organi i akuzës mbështet dyshimet e tij në deklaratat kërcënuese që 56-vjeçari ka bërë më herët në media, ku ka folur hapur për hakmarrje ndaj personave që ai i konsideronte si uzurpues të pronës. Madje, sipas hetuesve, edhe vetë familjarë të tij kanë paraqitur kallëzime në polici për kanosjet e vazhdueshme.

Ndërkohë, punonjësi i sigurisë, Banush Koxhaj, akuzohet për shpërdorim detyre. Sipas prokurorisë, ai nuk ka reaguar edhe pse detektorët sinjalizuan praninë e metaleve gjatë hyrjes së Elvis dhe Gjon Shkambit në ambientet e gjykatës. Ai nuk ka kryer kontroll fizik ndaj tyre dhe as nuk ka bërë regjistrimin në librin e protokollit, ashtu siç është detyrim për çdo qytetar që hyn dhe del në institucion.