Mandati i Dumanit përfundon në dhjetor, sot afati i fundit për të aplikuar për kreun e ri të SPAK

Aktualitet

Publikuar: 08/10/2025

Mandati i Dumanit përfundon në dhjetor, sot afati i fundit për të aplikuar për kreun e ri të SPAK

Kandidatët që synojnë drejtimin e SPAK-ut pas 18 dhjetorit, kur përfundon mandati i Altin Dumanit, do të kenë kohë edhe sot për të aplikuar. Një ditë më parë, prokurori i SPAK, Elvin Gogaj aplikoi në Këshillin e Lartë të Prokurorisë. Sot pritet të dorëzojnë aplikimin edhe Adnand Xholi, Doloreza Musanelliu dhe Klodian Braho.

Drejtuesi i ri do të zgjidhet mes prokurorëve të SPAK për një mandat 3-vjeçar pa të drejtë rikandidimi. Zgjedhja e kreut të SPAK bazohet në eksperiencën në çështjet sensitive të korrupsionit dhe të krimit të organizuar; në aftësitë drejtuese, vizionin ose planin e besueshëm për organizimin e Prokurorisë, imazhin publik të karrierës së tij.

Pasi bëhet verifikimi i kushteve paraprake, Komisioni për Zhvillimin e Karrierës jo më vonë se 10 ditë nga mbyllja e afatit të kandidimit, paraqet për miratim në mbledhje plenare, listën e kandidatëve që plotësojnë kushtet e kandidimit.

Votimi për drejtuesin e Prokurorisë së Posaçme bëhet i hapur dhe nominal dhe kryetar i ri zgjidhet kandidati që merr më shumë vota në Këshill, pra mjafton që ai të marrë një votë më shumë se kandidatët e tjerë.

Në rast se dy a më shumë kandidatë marrin numër të barabartë votash, Këshilli me pjesëmarrjen e të gjithë anëtarëve të pranishëm, kryen një votim të dytë mes kandidatëve me numër të barabartë votash.