Axhenda/ Mblidhet sot Konferenca e Kryetarëve! PD e PS kërkesa për ngritjen e komisioneve të posaçme 

Politikë

Publikuar: 08/10/2025

Axhenda/ Mblidhet sot Konferenca e Kryetarëve! PD e PS kërkesa për ngritjen e komisioneve të posaçme 


Në Kryesinë e Kuvendit të Shqipërisë do të mblidhet sot Konferenca e Kryetarëve për të shqyrtuar propozimin e grupit parlamentar të Partisë Demokratike si dhe 2 kërkesat e depozituara nga Partia Socialiste.

Partia Socialiste ka propozuar ngritjen e dy Komisioneve të reja të posaçme, përkatësisht një për realizimin e Reformës Zgjedhore dhe tjetrin si Komision i Posaçëm Parlamentar për Reformën Administrativo-Territoriale.

Ndërkohë Partia Demokratike ka depozituar kërkesën “Për zhvillim të mocionit me debat dhe ngritjen e një komisioni të posaçëm të Kuvendit të Shqipërisë” në lidhje me gjetjet e OLAF për Fondet nga programi IPARD.

Mbledhjet e mëparshme të Konferencës së Kryetarëve janë shoqëruar me përplasje të forta mes palëve dhe me debate. Një çështje e ngritur vazhdimisht nga demokratët ka qenë ajo e zhvillimit të seancës për prezantimin e planit të qeverisë, si dhe është kërkuar dhe shkarkimi i Kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi.

Akuzat ka qenë të shumta për mazhorancën, nisur që nga shkelja e rregullores së Parlamentit dhe Kushtetutës e deri tek heqja e të drejtës së fjalës në Kuvend.

Rendi i ditës i Konferencës së Kryetarëve:

1. Shqyrtimi i kërkesës së një grupi deputetësh të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike “Për zhvillim të mocionit me debat dhe ngritjen e një komisioni të posaçëm të Kuvendit të Shqipërisë” në lidhje me gjetjet e OLAF për Fondet nga programi IPARD.

2. Shqyrtimi i kërkesës së një grupi deputetësh të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste për ngritjen Komisioni të Posaçëm të Kuvendit ”Për ngritjen e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Realizimin e Reformës Zgjedhore”.

3. Shqyrtimi i kërkesës së një grupi deputetësh të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, për ngritjen Komisioni të Posaçëm të Kuvendit “Për ngritjen e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Administrativo – Territoriale”.